Burgjet me qira, Danimarka i paralajmëron të huajt: E ardhmja juaj s’është këtu

  • E.K /
  • 21 December 2021 - 17:54
Burgjet me qira, Danimarka i paralajmëron të huajt: E ardhmja juaj s’është këtu

Gjatë ditës së djeshme Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar marrëveshjen për marrjen me qifra të rreth 300 qelive në burgjet e Kosovës. Kurse, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje qeveria daneze u ka dërguar mesazh të gjithë atyre që duan t’i shkelin ligjet në Danimarkë.

Ky mesazh ka ardhur përmes një deklarate të publikuar përmes së cilës është bërë e ditur Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar marrëveshjen për qelitë e burgjeve.

“Ministri i Drejtësisë, Nick Hækkerup dhe ministri për Bashkëpunim Zhvillimor, Flemming Møller Mortensen kanë nënshkruar sot deklaratat politike në Kosovë, të cilat përfshijnë marrjen me qira të 300 burgjeve dhe një përkushtim zhvillimor në transformimin e gjelbër, të drejtat e njeriut dhe demokracinë”, është thënë në fillim të komunikatës.

Sipas njoftimit, takimi u mbajt në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku ishin të pranishëm edhe ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Dhe lidhur me këtë marrëveshje, ministri i Drejtësisë, Nick Hækkerup, ka thënë se kjo do të jetë një marrëveshje novatore që do të krijojë hapësirë konkrete në burgjet e Danimarkës dhe do të lehtësojë presionin mbi oficerët atje.

Veç kësaj, ka shtuar ai, “në të njëjtën kohë kjo u dërgon gjithashtu një sinjal të qartë shtetasve të vendeve të treta të dënuar me dëbim: E ardhmja juaj nuk është në Danimarkë, dhe për këtë arsye nuk do të qëndroni këtu”.

(Kosova Sot Online)