Shqipëri: Viti i ri jashtë shtëpisë, 90% e rezervimeve, nga Kosova!

  • E.K /
  • 21 December 2021 - 20:39
Shqipëri: Viti i ri jashtë shtëpisë, 90% e rezervimeve, nga Kosova!

Festat e fundvitit po i rikthejnë Durrësit lavdinë e dikurshme. Qyteti bregdetar renditet i dyti pas Korçës, sa i përket rezervimeve në hotele e restorante për natën e ndërrimit të viteve.

“Është qyteti që ofron më shumë se sa qytetet e tjera, duke konkurruar me Korçën sepse ka kapacitetin e madh të shtretërve. Trendi është i njëjti me shifrat e 2019-ës sepse 2020 konsiderohet viti i djegur (financiarisht). Po ta shohin relative është pak më e lartë, por në mënyrë absolute është numër ende i vogël për ekonominë e qytetit”,- u shpreh Edmond Basho Administrator i një agjencie turistike.

Për operatorët turistikë, shifrat janë më të larta se në 2019-ën i cili ka qenë një vit me rekord turistësh. Çmimet për natën gala të Vitit të Ri variojnë nga 60 deri në 120 euro/personi.

“Mendoj se do të jetë një vit i mirË dhe prenotimet me kapacitet maksimal. Njerëzit kanë qenë skeptik, por këto 2-3 ditët e fundit ka pasur rezervime në mënyrë masive. Njerëzit po themi e kanë marrë parasysh edhe këtë pjesën e orarit (ora policore që dikton mbylljen e restorantit në orën 23:00). Kryesisht janë vendas, ndërsa turistë të huaj ka më pak”, – tha Blerim Norja, administrator i një hoteli në Durrës.

Turistët më besnik janë bashkatdhetarët nga Kosova, duke përbërë shumicën e rezervimeve në hotelet e Durrësit. Thënë në gjuhën e shifrave, 90 për qind e rezervimeve janë kryer nga shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë dhe 10 për qind turistë të huaj nga vendet e Ballkanit.

(Kosova Sot Online)