Paditen Pal Lekaj dhe Komuna e Gjakovës, u kërkohen 1 milion euro

  • E.K /
  • 22 December 2021 - 12:21
Paditen Pal Lekaj dhe Komuna e Gjakovës, u kërkohen 1 milion euro

Ish-përfaqësuesi i Komunës së Gjakovës, ish-noteri dhe tani avokati, Shaqir Vula, përmes padisë për shpifje që ka ushtruar ndaj ish-kryetarit të Gjakovës, Pal Lekaj dhe Komunës së Gjakovës, është duke kërkuar kompensim dëmi në vlerë prej 1 milion euro.

Për këtë kërkesëpadi që është ushtruar në vitin 2009, Gjykata në Gjakovë në vitin 2016, kishte marrë aktgjykim me anë të së cilit e kishte refuzuar në tërësi si të pabazuar, mirëpo Gjykata e Apelit në shkurt të këtij viti e ka kthyer këtë rast në rigjykim dhe vendosje.

Në aktvendimin e Apelit që e ka kthyer në rigjykim këtë rast thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe se në këtë rast, gjykata fillimisht është dashur të lëshohet në lejueshmërinë e kërkesëpadisë para se të vendos në mënyrë meritore për këtë rast.

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të mërkurën filloi rigjykimi, ku palët kanë dhënë deklarimet e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paditësi Vula tha se qëndron prapa parashtrimeve që ka dhënë deri më tani.

Ndërsa, i autorizuari i Pal Lekajt, avokati Meshari Selimaj ka kërkuar nga gjykata që kërkesëpadinë e paditësit ta hudh poshtë si të palejuar në kuptim të nenit 17, paragrafi 1 të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes dhe në bazë të nenit 391, paragrafi 1 pika f e LPK-së.

Sipas avokatit Selimaj paditësi fillimisht ka qenë i obliguar që para parashtrimit të padisë të kërkojë zbutjen e dëmit dhe se Lekaj në deklarimin e tij vetëm i ka treguar arsyet e ndërprerjes së punës së paditësit dhe se nuk ka plasuar akuza direkte me qëllim denigrimi apo dëmtim të imazhit.

Edhe përfaqësuesja e Komunës së Gjakovës, Vjollca Shyti deklaroi se duke u bazuar në aktvendimin e Apelit, konsideron se janë plotësuar kushtet që kjo kërkesëpadi të konsiderohet si e palejuar.

Më pas, gjykatësi Besnik Bislimaj tha se duke iu përmbajtur udhëzimit të Gjykatës së Apeli të cilët kanë kërkuar që të vërtetohet me saktësi data e deklarimit të Lekajt dhe meqenëse nga referati i padisë, paditësi nuk ka mundur ta sqarojë datën dhe ditën e deklarimit në emision, e ka obliguar paditësin që në afat prej 15 ditësh ta bëjë rregullimin e padisë.

Në padinë që është ushtruar në vitin 2009, thuhet se përmes emisionit “Jeta në Kosovë – Debatet Komunale” i transmetuar në RTK, kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, i ftuar si mysafir i emisionit ishte pyetur se “përse nuk i është vazhduar kontrata e punës Avokatit Publik të Komunës – Shaqir Vula?”.

“Shaqir Vula, si avokat i Komunës i ka humbur të gjitha rastet nëpër gjykata dhe se ai ka dështuar në punën e tij si Avokat Publik në mbrojtjen e interesave të komunës dhe se puna e tij është vlerësuar negativisht edhe në sesionet e mëparshme të Kuvendit, prandaj në vendin e tij të punës është shpallur konkurs”, thuhet të jetë përgjigjur Pal Lekaj.

Tutje, në padi thuhet se ky deklarim i Lekajt në mediumin kombëtar RTK, Vulës i ka shkaktuar dëm i madh material dhe moral dhe se deklarimi i Lekajt ishte i pasaktë dhe i paargumentuar.

Përmes kësaj padie, Vula kishte kërkuar nga Gjykata e atëhershme Komunale në Gjakovë, që të detyrohet Pal Lekaj që ta ndalë shpifjen, që shpifjet e tilla të mos përsëriten dhe të bëjë tërheqjen e këtij informacioni shpifës.

Vula përmes padisë kishte kërkuar nga Lekaj dhe Komuna e Gjakovës si përgjegjëse në kuptimin objektiv, që solidarisht t’i kompensojë paditësit dëmin material dhe moral të shkaktuar nga shpifja në shumë prej 1 milion euro si dhe shpenzimet procedurale.

(Kosova Sot Online)