Ministrit të Vuçiqit i merret titulli i doktorit, bëri plagjiat

  • E.K /
  • 22 December 2021 - 14:54
Ministrit të Vuçiqit i merret titulli i doktorit, bëri plagjiat

Ministri i Financave në Qeverinë e Serbisë, Sinisha Mali, ka mbetur pa titullin Doktor i Shkencave.

Senati i Universitetit të Beogradit njëzëri ia anuloi doktoraturën ministrit të Vuçiqit, njofton agjencia serbe e lajmeve, Beta. Për këtë ka shkruar edhe BBC.

Komisioni për Etikë Profesionale i Universitetit të Beogradit paraprakisht ka përcaktuar sjelljen joakademike të ministrit serb gjatë përgatitjes së doktoraturës, në bazë të së cilës Senati ka marrë vendim.

“Senati dhe Universiteti nuk kanë ndërmend të merren më me doktoraturën e Sinisha Malit dhe do të merren vetëm nëse me vendim gjykate detyrohemi ta bëjmë këtë”, tha pas seancës rektori Vladan Gjokiq.

Vendimi për anulimin e doktoraturës së Malit u miratua nga Senati në vitin 2019, por ai apeloi kundër anulimit të disertacionit të doktoraturës në Gjykatën Administrative, e cila më pas e anuloi vendimin e Senatit dhe e ktheu atë për një vendim të ri.

Dyshimet për doktoraturën e Sinisha Malit, të cilën ai e mbrojti në Fakultetin e Shkencave Organizative në vitin 2013, u shfaqën në qershor 2014.

Cfare ndodhi?

Dyshimet për doktoraturën e Sinisha Malit u shfaqën në qershor 2014, kur Rasha Karapandzha, profesore në Shkollën Evropiane të Biznesit në Gjermani, publikoi një tekst në faqen “Peščanik”, duke pretenduar se Mali kishte marrë pjesë të tekstit nga disertacionet dhe artikujt shkencorë të njerëzve të tjerë.

Ai akuzoi Malin për plagjiaturë.

Profesorë dhe studentë të shumtë, ndër vite, e kanë kujtuar rregullisht këtë rast dhe kanë kërkuar fjalën përfundimtare të Universitetit.

(Kosova Sot Online)