Qeveria nuk do diskutim publik për vizitorët nga Afrika që i paralajmëroi Pacolli

  • A.P /
  • 22 December 2021 - 16:09
Qeveria nuk do diskutim publik për vizitorët nga Afrika që i paralajmëroi Pacolli

Nga Qeveria e Kosovës nuk duan diskutim publik lidhur me njohjet e mundshme që mund t’i vijnë Republikës së Kosovës, meqë thonë se një gjë e tillë mund ta dëmtojë gjithë procesin. Kështu kanë thënë në një përgjigje pasi janë pyetur lidhur me deklarimin e para pak ditëve të Behgjet Pacollit për një njohje të re që është shumë afër të ndodh.

Ish-kryediplomati i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se delegacioni i një vendi që do ta njohë Kosovën do të vijë gjatë kësaj jave në Kosovë. Kreu i AKR-së ka lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një vend afrikan.

Për njohjen nga ky vend, emrin e të cilit s’e ka bërë të ditur, ka deklaruar se e ka njoftuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, i cili sipas tij nuk i është përgjigjur.

Por, nga Qeveria e Kosovës thonë se në raste të tilla, diskutimi publik mund ta dëmtojë rezultatin përfundimtar, pra njohjen.

“Nuk mund të japim informacione të mëtejme nga çka kemi thënë tanimë në lidhje me këtë çështje. Në këtë fazë dhe në raste të tilla, diskutimi publik vetëm sa mund të cenoj, dëmtoj dhe komprometoj rezultatin përfundimtar. Në të njëjtën kohë ne jemi në një fazë të ngjashme me një numër shtetesh tjera mosnjohëse me të cilat jemi në kontakt”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ndërkaq edhe zëvendësministri i Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka deklaruar të hënën  se çdo publikim i procesit të njohjes së shtetësisë së Kosovës nga shtetet tjera, e dëmton këtë proces.

Ai ka deklaruar se MPJD-ja është në dijeni për vendin të cilin e ka përmendur ish-diplomati kosovar dhe kreu i AKR-së.

“Çdo publikim i një procesi të tillë, vetëm se e dëmton procesin sepse në rend të parë mund ta humbë besimin mes vendeve tona, por gjithashtu e komprometon edhe procesin e njohjes pasi është informacion publik që shumë lehtë mund të merret edhe nga Serbia, dhe ajo të aktivizohet pastaj. Ne jemi plotësisht në dijeni se për cilin vend e ka fjalën z.Pacolli dhe nuk ka nevojë për shqetësim sepse ne jemi në komunikim qe një kohë”, ka deklaruar Ahmeti.

Derisa Pacolli ka deklaruar se delegacioni do të arrijë në Kosovë brenda kësaj jave, Ahmeti ka thënë se në protokollin shtetëror nuk ka informacion për ndonjë vizitë të tillë.

“Nga protokolli shtetëror, Republika e Kosovës nuk ka informacion për ndonjë vizitë të ndonjë delegacioni zyrtar gjatë ditëve në vijim”, ka deklaruar Ahmeti.

(Kosova Sot Online)