Çfarë do të ndodhë me villat në Brezovicë, lejet e të cilave dyshohet se u lëshuan me ryshfet

  • E.K /
  • 23 December 2021 - 07:57
Çfarë do të ndodhë me villat në Brezovicë, lejet e të cilave dyshohet se u lëshuan me ryshfet

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar vendosjen e masës së paraburgimit ndaj Bratisllav Nikolliqit, zyrtarit të Listës Serbe dhe ish-kryetarit të Shtërpcës, komunë me shumicë serbe në jug të Kosovës, konfirmuan nga kjo prokurori për Radion Evropa e Lirë.

Prokuroria ka kërkuar të vendoset masa e paraburgimit edhe ndaj nëntë personave të tjerë, që u arrestuan të martën nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Vendimi për masën e paraburgimit pritet të merret më 23 dhjetor.

Në kërkesën për vendosjen e masës së paraburgimit thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Nikolliq, nga viti 2014 deri në tetor të vitit 2018 ka marrë para dhe dhurata në mënyrë të drejtpërdrejtë në këmbim të dhënies së lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, përkatësisht në zonën e dytë dhe të tretë në Brezovicë.

Prokuroria dyshon se Nikolliq ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, por edhe “ka pranuar dhurata me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore”.

Nikolliq dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.

Brezovica ndodhet në Komunën e Shtërpcës dhe është pjesë e Parkut Kombëtar “Sharri”. Është e njohur për qendrën e skijimit, e cila është vetëm 9 kilometra larg qendrës së Brezovicës.

Parku Kombëtar “Sharri” shtrihet përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut, në 39,000 hektarë tokë, prej të cilave, 39 për qind janë në Komunën e Shtërpcës.

Sipas Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri” ekzistojnë regjimet mbrojtëse, të ndara sipas zonave: e parë, e dytë, e tretë dhe zona e ndikimit. Ndërtimi nuk është i lejuar në zonën e parë dhe të dytë, ku përfshihen pjesët e parkut me veçori natyrore të jashtëzakonshme, të karakterizuara me ekosisteme e vlera tjera të natyrës. Ndërtimi lejohet në zonën e tretë të parkut, në harmoni me ligjin.

Çfarë do të ndodhë me objektet e ndërtuara pa leje?

Bajram Kafexholli, drejtori i Parkut Kombëtar “Sharri”, thotë për Radion Evropa e Lirë se “të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, që kanë tejkalime, si dhe objektet e ndërtuara në zonat e dyta duhet të rrënohen si dhe të kthehen në gjendjen e mëparshme”.

Ai po ashtu shton se Drejtoria për administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” është e “shqetësuar me zhvillimet në fushën ndërtimit dhe infrastrukturës brenda territorit të Parkut Kombëtar ‘Sharri’, konkretisht në zhvillimet e ndërtimeve të vilave, hoteleve, hapjen e rrugëve dhe infrastrukturës në përgjithësi, me theks të veçantë për zonën menaxhuese Brezovicë”.

Prokuroria Themelore e Ferizajt njoftoi më 21 dhjetor se objektet që janë ndërtuar pa leje do të sekuestrohen përkohësisht.

Sipas Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri”, Brezovica i përket zonës së tretë, e cila përfshin territorin ku lejohet ndërtimi, rindërtimi, mbrojtja e objekteve tradicionale, si dhe rekreacioni e turizmi.

Ministria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se lejet e ndërtimit të kategorisë së parë dhe të dytë i jep komuna, që do të thotë se vetëqeverisja lokale e Shtërpcës ishte përgjegjëse për dhënien e lejeve për shtëpitë e pushimit apo vilat në Brezovicë.

“Lejet jepen nga drejtoritë për urbanizëm, kurse ecuria e ndërtimit mbikëqyret nga inspektorati komunal. Inspektorati i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor kryen inspektime nëpër komuna lidhur me zbatimin e ligjeve në fusha të caktuara”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Urbanizmit dërguar Radios Evropa e Lirë.

Po ashtu, Ministria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se në Komunën e Shtërpcës janë vërejtur parregullsi, sa i përket ndërtimeve.

Në raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë, për vitet 2018-2019, të përgatitur nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, thuhet se në këtë periudhë Drejtoria për menaxhimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka iniciuar 624 procedura për shkelje të ligjit.

Është konstatuar se menaxhimi efektiv i zonave të mbrojtura dhe parandalimi i aktiviteteve ilegale në këto zona, janë sfidë për institucionet e Kosovës.

Kush është Bratisllav Nikolliq?

Bratsillav Nikolliq ka qenë kryetar i Komunës së Shtërpcës që nga viti 2009, kur kjo komunë u formua përmes procesit të decentralizimit në Kosovë.

Ndonëse fitoi zgjedhjet lokale në vitin 2013 si kandidat i Partisë së Pavarur Liberale (SLS), Bratisllav Nikolliq shpejt iu bashkua Listës Serbe, e cila u formua po të njëjtin vit, me mbështetjen e Beogradit.

Në shtator të vitit 2015, Bratisllav Nikolliq u emërua komisionar i Partisë Progresive Serbe (SNS) në Shtërpcë, parti kjo në pushtet në Serbi, në krye të së cilës është presidenti aktual, Aleksandar Vuçiq.

Asokohe, në Shtërpcë ndodhi edhe anëtarësimi kolektiv në SNS. Pra, rreth 3,000 presona iu bashkuan Partisë Përparimtare Serbe.

Ndërkohë, ish-partia e Bratisllav Nikolliqit, Partia e Pavarur Liberale, në vitin 2020 shpalli moratorium politik, për shkak të dominimit të plotë të Listës Serbe.

Lista Serbe, pothuajse në të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe lokale, ka fituar rreth 90 për qind të votave të komunitetit serb në Kosovë dhe në këtë mënyrë, ajo i ka të dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës si dhe merr pjesë në punën e Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu, ajo ka pushtetin në të dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Çfarë ka raportuar Nikolliq në Agjencinë Kundër Korrupsionit?

Në mars të vitit 2021, Bratisllav Nikolliq raportoi në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës se kishte një banesë prej 90 metrash katrorë në vlerë prej 50,000 eurosh dhe një veturë në vlerë prej 65,000 eurosh.

Ai gjithashtu ka raportuar se si kryetar i Komunës së Shtërpcës, në nivel vjetor, ka fituar rreth 14,000 eurosh në vit.

Nikolliq ka qenë kryetar i kësaj komune deri në fund të nëntorit të vitit 2021, kur pas zgjedhjeve lokale të tetorit që u mbajtën në Kosovë, postin që ai mbante e mori Dallibor Jevtiq, po ashtu nga Lista Serbe.

Automjetin e tipit Land Rover, me vlerë rreth 70,000 eurosh, Nikolliq e kishte raportuar për herë të parë në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës, në vitin 2016.

Vetëm një vit më herët (2015), Nikolliq raportoi në Agjencinë Kundër Korrupsionit se ishte pronar i një veture me vlerë prej 7,000 eurosh.

Krahas funksionit të kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq ka mbajtur edhe pozitën e koordinatorit në organin e përkohshëm komunal të Shtërpcës, i cili financohet nga Beogradi.

Kush tjetër u arrestua dhe çfarë u sekuestrua?

Përveç Bratisllav Nikolliqit, janë arrestuar edhe nëntë persona të tjerë, në mesin e të cilëve është edhe drejtori për Urbanizëm në Komunën e Shtërpcës, Dimitrije Raçiqeviq.

Janë arrestuar edhe disa pronarë të kompanive të ndërtimit, si dhe disa qytetarë, me inicialet: D.M., H.B., S.M., R.B., R.H., B.I., S.S. dhe J.K.

Prokurori Rasim Maloku, në një konferencë për media më 21 dhjetor, ka shpjeguar se shumica e objekteve në Brezovicë janë ndërtuar ilegalisht dhe se të dyshuarit kanë marrë vila dhe vetura si dhuratë në këmbim të lejeve të ndërtimit.

Gjatë aksionit të Policisë së Kosovës janë sekuestruar mbi 60,000 euro, armë të ndryshme, tetë vetura me vlerë 300,000 euro, si dhe pajisje për prodhimin e kriptovalutave.

Si reagoi Lista Serbe dhe Serbia lidhur me arrestimet në Shtërpcë?

Pasi që Prokuroria më 21 dhjetor i prezantoi detajet e arrestimit për dhënie të paligjshme të lejeve të ndërtimit, dega e Listës Serbe në Shtërpcë mbajti një mbledhje urgjente.

Në këtë mbledhje u arrit përfundimin, me të cilin “dënohet ashpër mënyra me të cilën policia e ka kryer aksionin dhe në të cilën fëmijët dhe familjet e zyrtarëve të Listës Serbe u janë ekspozuar ndërhyrjeve brutale në shtëpitë e tyre dhe frikësimit në orët e hershme të mëngjesit”.

Siç thuhet në një deklaratë, përkrahje pa mëdyshje, u ofrohet të gjithë anëtarëve të paraburgosur të Listës Serbe dhe familjeve të tyre.

“E dimë dhe besojmë se do të vërtetohet që akuzat ndaj tyre janë të pabaza. Tërë situatën dhe mënyrën e kryerjes së aksionit, e shohim si sulm ndaj të gjithë neve, sulm ndaj Listës Serbe, ndaj Bratisllav Nikolliqit, i cili me vite luftoi për paqen dhe bashkëjetesën, për ta bërë Komunën e Shtërpcës shembull të multietnicitetit në Kosovë, gjë që siç duket, dikujt i pengon”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Lista Serbe.

Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se “shteti do të sigurojë ndihmën ligjore” për të arrestuarit në Shtërpcë dhe se ai do të ketë më shumë informacion mbi këtë zhvillim, pasi që të kthehej në Beograd.

Më 21 dhjetor, kur Policia e Kosovës kreu një aksion në Shtërpcë, Vuçiq ndodhej në Shqipëri, me rastin e nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Më herët, drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës në Shtërpcë “është një tjetër përpjekje brutale për të frikësuar popullin serb në Kosovë dhe një terror i ri i kryeministrit Albin Kurti”.

(Kosova Sot Online)