Reduktimet e rrymës në Kosovë, rriten kërkimet në Google për gjeneratorë

  • E.K /
  • 23 December 2021 - 11:22
Reduktimet e rrymës në Kosovë, rriten kërkimet në Google për gjeneratorë

Rikthimi i reduktimeve të rrymës për të gjithë konsumatorët në Kosovë, e ka shtuar interesimin e qytetarëve për gjeneratorët.

Fjalët “gjenerator” dhe “agregat” kanë pasur rritje mbi 50 për qind në kërkimet në Google, në 7 ditët e fundit.

Burimi: Granit Mavriqi/ Facebook

Kosova tash e disa javë po përballet me krizë energjetike.

Kompania për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar të mërkurën se në 24 orët e ardhshme do të ketë reduktime të energjisë elektrike.

Këto reduktime do të jenë nga dy orë dhe do të prekin të gjithë qytetarët e Kosovës, përveç atyre emergjentë.

Për reduktimet e rrymës në Kosovë, ka raportuar edhe agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters”.

Në artikull thuhet se Kosova mbështetet në prodhimin e energjisë nga termocentralet e saj të vjetëruara me qymyr.

Për të përballuar ndërprerjet, shumë biznese dhe familje në të gjithë vendin sollën gjeneratorë  të energjisë.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 milionë euro për importin e energjisë elektrike, që sipas kryeministrit Albin Kurti është deri në shtatë herë më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur çmimi i një MW/h ishte rreth 60 euro.

Sipas “Reuters”, vendi me 1.8 milionë banorë tani po importon rreth 40 për qind të nevojave të tij për energji elektrike.

Konsumi i energjisë është rritur në temperaturat nën zero të dimrit kur shumica e konsumatorëve e përdorin atë për ngrohje.

(Kosova Sot Online)