Skandali me ryshfet për hotelin e vilat në Brezovicë, asnjë reagim nga Veton Surroi

  • E.K /
  • 23 December 2021 - 12:42
Skandali me ryshfet për hotelin e vilat në Brezovicë, asnjë reagim nga Veton Surroi

Publicisti kosovar, Veton Surroi, s’ka bërë kurrfarë reagimi në lidhje me pretendimet e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për dyshimet e përfshirjes së “Stella Consulting”, kompani kjo ku vetë është një nga aksionarët, në një aferë të dhënies së ryshfetit për ish-kryetarin e Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, në këmbim të lejeve ndërtimore për shtëpiza dhe objektin hotelier në Brezovicë.

Surroi është një prej aksionarëve të kompanisë “Stella Consulting” me 30 % të aksioneve derisa pjesën tjetër të aksioneve e ka Gentjan Sula me 70% .

Siç ka raportuar dje “Kallxo.com”, ish-kreu i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq dyshohet se ka marrë 410 mijë euro ryshfet nga kompania “Stella Consulting” në këmbim të dhënies të lejeve.

Prokuroria pretendon se ish-kryetari Nikoliq ka pranuar 210 mijë euro ryshfet për dhënien e 21 lejeve ndërtimore të vikend shtëpizave për investitorin “Stella Consulting”, si dhe 200 mijë euro të tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consulting”.

Surroi që është themelues i njërës prej kompanive mediale në Kosovë, për vite të tëra ka qenë i përfshirë aktivisht në politikën kosovare dhe jetën publike dhe njëri nga zërat më kritikues ndaj qeverive që derivonin nga i ashtuquajturi krah i luftës të cilat i akuzonte për kapje të shtetit.

(Kosova Sot Online)