“20 milionët që i ndau Kurti për subvencionim e rrymës s’mjaftojnë as për 7 ditë”

  • A.P /
  • 24 December 2021 - 16:59
“20 milionët që i ndau Kurti për subvencionim e rrymës s’mjaftojnë as për 7 ditë”

Rritja e konsumit njëkohësisht me rritjen e çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare e ka zhytur Kosovën në një krizë energjetike. Për herë të parë pas më shumë se një dekade, vendi është duke u përballur me reduktime, diku dy orë e diku shumë më shumë. Për gjendjen e rënduar energjetike në vend dhe për rikthimin e reduktimeve Kosova ka zënë edhe faqet e mediave të botës.

Qeveria e Kosovës në përpjekje e sipër për të parandaluar thellimin e krizës, ka vendosur që të ndajë 20 milionë euro për subvencionimin e importit të energjisë, megjithatë një shumë e tillë sipas ish-ministrit të Tregtisë, Bernard Nikaj, nuk mjafton as për 7 ditë.

Në një konferencë për media ku ka kërkuar shpallje të gjendjes emergjente të furnizimit me energji elektrike, anëtari i Kryesisë së PDK-së e ka cilësuar si të duhur një vendim të tillë, por thotë se 20 milionë do të harxhohen për një javë bazuar në çmimet e energjisë në treg.

“Vendimi i ditëve të fundit për ndarjen e 20 milion eurove për subvencionim të importit të energjisë është vendim i duhur. Mirëpo, këto mjete qe tashmë kanë filluar të shpenzohen, në raport me çmimet aktuale të energjisë në tregjet ndërkombëtare, nuk do të mjaftojnë as për 7 ditët e mbetura të këtij viti”, ka thënë Bernard Nikaj në konferencën për media, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, sinjal i mirë për Kosovën në këtë kohë kur po përballet me krizë energjetike, është fillimi i rënies së çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Në Hungari, brenda pak ditëve ka një rënie pothuajse prej 50 % të çmimit të energjisë, derisa trend i njëjtë shihet në të gjitha shtetet e Evropës.

Qeveria e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike, duke publikuar edhe manual se si të veprohet me pajisjet shtëpiake.

Gjendja energjetike në vend është përkeqësuar edhe për shkak të problemeve në KEK, të cilat pritet të sanohen tek në ditët e para të janarit.

Si rezultat i kësaj gjendje në vend kanë shpërthyer pakënaqësi të shumta nga qytetarët, ndërkohë Partia Socialdemokrate e Kosovës ka organizuar sot edhe një aksion para Qeverisë së Kosovës, duke zëvendësuar flamujt e Kosovës me batanije.

PSD dje ka organizuar edhe aksion përpara KEDS-it në qendër të Prishtinës.

(Kosova Sot Online)