Aksidentet me fatalitet në vend, policia ju drejtohet qytetarëve me apel

  • E.K /
  • 27 December 2021 - 15:33
Aksidentet me fatalitet në vend, policia ju drejtohet qytetarëve me apel

Referuar aksidenteve fatale të raportuara deri tani, përfshirë aksidentin e djeshëm me datë 26.12.2021, ndermjet një veture dhe  një kamioni, në rajonin e Pejës, ku humbën jetën dy persona meshkuj kosovar dhe aksidentin e shkaktuar sot më 27.12.2021 në rajonin e Ferizajt, ku dyshohet se për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve në rrugë vozitësi e humb kontrollin mbi automjet dhe godet një shtyllë elektrike të betonit, ku jetën ka humbur një person i gjinisë femrore (pasagjere), Policia e Kosovës kërkon kujdes dhe vigjilencë të shtuar në trafik.

“Reshjet e shiut krijojnë vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve, prandaj Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent.

Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanerisht drejtuesve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet në përgjithësi, e në veçanti këto me humbje të jetëve njerëzore”, apelon policia.

Policia e Kosovës apelon qytetarët që të mos e drejtojnë automjetin kur jeni të lodhur apo pa gjumë dhe mos të vozitni nën ndikimin e alkoolit.

“Përdorimi i telefonave mobil gjatë vozitjes vlerësohet të jetë mjaft i rrezikshëm dhe ndalohet rreptësishtë gjatë drejtimit të automjetit. Policia e Kosovës me njësitet e saj po ndermerr dhe do të ndermerr masa rigoroze ligjore ndaj të gjithë pjesamrrësve në rrugë që shkelin ligjin e trafikut dhe zero tolerancë do të aplikohet ndaj tyre, me të vetmin qëllim që të kemi sa më pak humbje të jetëve njerëzore”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.

(Kosova Sot Online)