Arifi tregon se është kontaktuar disa herë nga qeveria pas raportimeve se kanë prishur koalicionin

  • A.P /
  • 27 December 2021 - 18:04
Arifi tregon se është kontaktuar disa herë nga qeveria pas raportimeve se kanë prishur koalicionin

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Gani Elshani, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë sot se kjo parti ka prishur koalicionin qeveritar me Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas deklaratave të tij, kryetari i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi ka treguar se janë kontaktuar nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka thënë se qeveria ka kontaktuar edhe deputetin e kësaj partie, i cili po ashtu e ka demantuar lajmin për largimin nga qeveria.

Ai është shprehur se Partia e Ashkalinjëve për Integrim vazhdon të qëndroj në koalicion.

“Kemi pas kontakte të vazhdueshme nga qeveria. Sot deputeti i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim është në vizitë zyrtare në Turqi, dhe e kanë kontaktuar edhe deputetin, edhe deputeti e ka demantuar këtë lajm, ai ka thënë se ata që e prishin koalicionin ose vendosin me qenë pjesë e koalicionit apo jo janë kryesia dhe kryetari”, ka deklaruar ai.

 Arifi ka deklaruar se gjatë ditës së nesërme do të mblidhet kryesia e partisë dhe do të merret një vendim për rastin e Elshanit.

Ai nuk ka përjashtuar as përjashtimin e tij nga partia.

“Unë do ta ftojë kryesinë e partisë qysh nesër dhe do të marrin një vendim për personin në fjalë që ka dal me këto deklarata. Jemi në demokraci dhe sigurisht ka secili të drejtë të shprehë mendimin e vetë, por jo kështu“, ka shtuar ai.

Përndryshe, Arifi ka thënë se janë në kontakt me qeverinë që të shtohen edhe dy këshilltarë nga kjo parti.       

(Kosova Sot Online)