Qeveria indiane godet fondacionin e themeluar nga Nënë Tereza

  • A.P /
  • 27 December 2021 - 22:16
Qeveria indiane godet fondacionin e themeluar nga Nënë Tereza

Qeveria e Indisë ka bllokuar fondacionin e Nënë Terezës nga marrja e fondeve të huaja, duke thënë se organizata katolike nuk i plotësonte kushtet sipas ligjeve lokale, e kështu duke i dhënë një goditje një prej fondacioneve më të shquara që ndihmon nevojtarët.

Ministria e Brendshme tha në një deklaratë ditën e sotme, se aplikimi i Misionarëve të Bamirësisë për rinovimin e një licence që i lejon asaj të marrë fonde nga jashtë u refuzua ditën e Krishtlindjeve.

Ministria tha se hasi në “inpute negative” gjatë shqyrtimit të aplikacionit të rinovimit të bamirësisë.

Problemet e këtijfondacioni vijnë pas një vargu sulmesh ndaj të krishterëve në disa pjesë të Indisë nga grupet e krahut të djathtë hindu, të cilët akuzojnë pastorët dhe kishat për konvertime të detyruara.

Sulmet kanë qenë veçanërisht të spikatura në shtetin jugor të Karnataka-s, i cili ka parë rreth 40 raste kërcënimesh ose dhune kundër të krishterëve këtë vit, sipas një raporti nga Shoqata Ungjillore e Indisë.

Më herët ditën e sotme, kryeministrja e shtetit të Bengalit Perëndimor, Mamata Banerjee, shkaktoi polemika kur ajo postoi në Twitter se qeveria kishte ngrirë llogaritë bankare të bamirësisë.
Por qeveria shpejt sqaroi se nuk kishte ngrirë asnjë llogari.

Organizata bamirëse konfirmoi në një deklaratë se qeveria nuk kishte ngrirë llogaritë e saj, por shtoi se aplikimi i saj për rinovimin e Aktit të Rregullores së Kontributeve të Huaja nuk ishte miratuar.

“Prandaj … ne u kemi kërkuar qendrave tona që të mos operojnë asnjë nga llogaritë (kontributet e huaja) derisa çështja të zgjidhet,” tha ai.

Në fillim të këtij muaji, “Misionaret e Bamirësisë”, fondacion i cili Nënë Tereza e filloi në Kalkuta në vitin 1950, u gjend nën hetim në shtetin perëndimor të Gujaratit pas ankesave se vajzat në strehimoret e tij detyroheshin të lexonin Biblën dhe të recitonin lutjet e krishtera. Organizata bamirëse i ka mohuar akuzat.

Organizata bamirëse drejton qindra vende strehuese që kujdesen për disa nga njerëzit më në nevojë në botë, të cilët Nënë Tereza i kishte përshkruar si “më të varfërit e të varfërve”.

India është shtëpia e popullsisë së dytë më të madhe katolike në Azi pas Filipineve, por afërsisht 18 milionë katolikë përfaqësojnë një pakicë të vogël në kombin kryesisht hindu me afro 1.4 miliardë banorë.

Kritikët thonë se tensionet fetare janë rritur nën qeverinë nacionaliste hindu të kryeministrit Narendra Modi, me sulme më të shpeshta kundër pakicave.

Nënë Tereza mori çmimin Nobel për Paqen për punën e saj në vitin 1979 dhe Papa Françesku e shpalli shenjtore në vitin 2017, dy dekada pas vdekjes së saj.

(Kosova Sot Online)