Këta janë dy të dyshuarit për grabitjen që përfundoi me vrasje në Mitrovicë

  • E.K /
  • 29 December 2021 - 09:55
Këta janë dy të dyshuarit për grabitjen që përfundoi me vrasje në Mitrovicë

Policia e Rajonit të Mitrovicës ka dhënë detaje shtesë lidhur me të dyshuarit për grabitjen e armatosur që përfundoi me vrasje në Mitrovicë, ku mbeti i vrarë një 58-vjeçar me inicialet A.M.

Për këtë rast, Policia ka njoftuar se tashmë janë arrestuar dy të dyshuar. Të dyshuar janë një 30-vjeçar me inicialet M.H dhe një 19-vjeçar me inicialet G.R.

Atyre u është caktuar masa e ndalimit policor pas intervistimit.

“Mbi bazën e veprimeve hetimore dhe provave të siguruara, dyshimet janë ngritur se dy të dyshuarit të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë hyrë në dyqanin e viktimës ku gjatë ballafaqimit me viktimën, njëri prej të dyshuarve ka shtënë dhe ka plagosur viktimën me pasojë vdekjeprurëse.

Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të rastit dy të dyshuarve M. H.,30 vjeçar dhe G. R., 19 vjeçar, u është caktuar masa e ndalimit policor. Në bazë të ekzaminimit të provave materiale, dy të dyshuarit e lartcekur dyshohen se kanë kryer edhe grabitjen e raportuar me datën 27 dhjetor 2021, ku cak i grabitjes ishte një barnatore”, ka njoftuar Policia.

Ndryshe, një grabitje e armatosur në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, ka përfunduar me vrasje. I vdekur ka mbetur pronari i lokalit, meqenëse s’ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa-Hakaj.

“Mund të konfirmoj se një person i plagosur, që kishte ardhur për trajtim, ka ndërruar jetë. Meqë tash ka ndodhur e gjithë ngjarja, nuk mund të deklaroj informacione tjera”, ka deklaruar mbrëmë Mustafa-Hakaj.

Komunikata e plotë:

Mbrëmë rreth orës 22:24, të datës 28 dhjetor 2021, policia në Mitrovicë ka pranuar informacion për të shtëna me arme zjarri në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ në Mitrovicë. Me të pranuar informacionin në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore.

Nga informacionet e para nga vendi i ngjarjes, bëhet e ditur se si pasojë e të shtënave nga ana e dy të dyshuarve i plagosur në dyqanin e tije kishte mbetur viktima /mashkull kosovar të cilin me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Ndërkohë nga autoritetet spitalore është raportuar se i plagosurit, viktima A. M., 58 vjeçar, si pasojë e plagëve kishte vdekur. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprime të shpejta policore, në vendin e ngjarjes është gjetur një predhë dhe dy gëzhoja, ndërsa per një kohë të shkurtër janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar, si dhe janë sekuestruar një armë pistoletë, dorëza, një thikë dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me veprën penale.

Mbi bazën e veprimeve hetimore dhe provave të siguruara, dyshimet janë ngritur se dy të dyshuarit të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë hyrë në dyqanin e viktimës ku gjatë ballafaqimit me viktimën, njëri prej të dyshuarve ka shtënë dhe ka plagosur viktimën me pasojë vdekjeprurëse.

Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të rastit dy të dyshuarve M. H.,30 vjeçar dhe G. R., 19 vjeçar, u është caktuar masa e ndalimit policor.

Në bazë të ekzaminimit të provave materiale, dy të dyshuarit e lartcekur dyshohen se kanë kryer edhe grabitjen e raportuar me datën 27 dhjetor 2021, ku cak i grabitjes ishte një barnatore.

Policia falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre që të identifikohet drejtimi i ikjes së të dyshuarve dhe kjo ka rezultuar me arrestimin e shpejtë të tyre.

(Kosova Sot Online)