​Prokuroria Themelore e Prishtinës: Neni për dhunë në familje është i paqartë

  • E.K /
  • 29 December 2021 - 12:51
​Prokuroria Themelore e Prishtinës: Neni për dhunë në familje është i paqartë

Koordinatorja për Dhunë në Familje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Shenaj Berisha po raporton në Komisionin për të Drejtat e Njeriut.

Por, deputetët e pozitës janë shprehur të pakënaqur me personin që ka dërguar Këshilli Prokurorial të Kosovës (KPK) për të diskutuar në lidhje me ndjekjen dhe arsyetimin e rasteve, të dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje.

Sipas tyre, në këtë rast KPK i ka ikur përgjegjësisë duke mos ardhur dhe dhënë përgjigje për prokurorët që kanë marrë vendime skandaloze.

Shenaj Berisha theksoi se neni për dhunë në familje është shumë i paqartë dhe se nuk specifikon llojet e dhunës. Ajo tregoi se janë katër prokurorë në Prishtinë që merren me dhunë në familje.

“Nuk qëndron që Prokuroria nuk është duke u marrë me rastet e dhunës në familje. Ju ftoj të merreni pjesë në zyrën time e të shihni sa lëndë i ka. Unë kam raste që i kam dërguar në paraburgim bashkëshortët, dhe viktimat vijnë të tërhiqen dhe dëshirojnë që t’u lirohet burri”, ka deklaruar ajo.

E nënkryetarja e komisionit, Tinka Kurti theksoi se janë duke u marrë vendime qesharake.

“Prokuroria është pajtuar me një shumë monetare me rastin e dhunës ndaj një gruaje në market. Ligji për Këshillin Prokurorial iu jep mundësi që të nisin procedura ndaj prokurorëve”, u shpreh ajo.

(Kosova Sot Online)