Vigan Qorrolli në tentimin e radhës për t’u bërë gjykatës i Kushtetueses

  • E.K /
  • 29 December 2021 - 14:58
Vigan Qorrolli në tentimin e radhës për t’u bërë gjykatës i Kushtetueses

Vigan Qorrolli sot do të jetë sërish në garë për t’u bërë gjykatës i Gjykatës Kushtetuese. Qëndrimet e tij prej juristi së fundmi ishin gjithnjë në kundërshtim me vendimet e kësaj gjykate, por ai, sikur edhe kundërkandidatët e tij, synon ta marrë mbështetjen më të madhe të deputetëve të Kuvendit për ta fituar një nga dy pozitat e lira të gjykatësve në Kushtetuese.

Nga testi me shkrim dhe me gojë, Qorrolli ka dalë i katërti me 7.9 pikë pikë. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka njoftuar sot në Kuvend se kandidati Bashkim Hyseni, i cili ishte i treti në renditje me 8.4 pikë, është tërhequr nga gara.

Përveç Qorrollit dhe Hysenit që u tërhoq, në garë janë për dy vendet për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese janë: Hilmi Jashari me 8.9 pikë, Etrur Maloku me 8.6 pikë, Bardh Vokshi me 7.7 pikë dhe Shukri Sylejmani me 7.5 pikë.

Kuvendi miratoi paraprakisht një procedurë zgjedhore, të cilës të pesë kandidatët në garë do t’i nënshtrohen. Në çdo radhë votimi, do të eliminohet nga një kandidat që merr më së paku vota.

Qorrolli nuk kishte arritur ta merrte mbështetjen e nevojshme të deputetëve në qershor të këtij viti, ku dështoi zgjedhja e një gjykatësi të Kushtetueses, pasi asnjëri nga kandidatët nuk arriti t’i merrte votat që kërkohen.

Në raundin e tretë të votimit, 49 deputetë kishin votuar për Vigan Qorrollin ndërsa 38 për kundërkandidatin e tij Haxhi Xhemajlin. Kishin votuar gjithsej 94 deputetë, ku shtatë fletëvotime ishin të pavlefshme.

Juristi Vigan Qorrolli kohët e fundit ishte gjithnjë në krahun e Lëvizjes Vetëvendosje sa herë që Gjykata Kushtetuese e hudhte poshtë ndonjë ankesë të këtij subjekti politik, dhe tani po synon sërish që të bëhet gjykatës pikërisht në këtë gjykatë, që është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës në Kosovë.

Edhe para këtij viti Qorrolli kishte tentuar të bëhej gjykatës në Kushtetuese. Ai akuzonte se disa kandidatë favorizoheshin politikisht.

“Politika ka favorizuar disa kandidatë, përballë disa të tjerëve, duke mos i lënë deputetët e lirë të votojnë me ndërgjegjen e tyre dhe t’i votojnë njerëzit më të mirë në bazë të CV-së së tyre, ka bërë që Gjykata Kushtetuese të lëndohet më shumë se që është lënduar”, shprehej ai në RTV Dukagjini në gusht të vitit 2018.

Ai thoshte se deputetët ishin të detyruar të votonin pro përkrahësve të partive në qeveri, ndërsa këtë herë mund t’i duhet të shpresojë për të njëjtën.

“Kam tentuar që të jem një kandidat bipartizan, që t’i bindi të gjitha partitë politike që jam kandidati më i pavarur nga të gjithë të tjerët. Nuk ia kam dalë, sepse deputetët nuk janë lejuar të votojnë lirshëm dhe partitë e pushtetit kanë bërë pazare që t’i votojnë kandidatët e tyre të preferuar”, deklaronte Qorrolli.

Në tentimin e para tri viteve, ai kishte marrë më së paku vota (6) në Kuvendin e Kosovës, duke dështuar të bëhet gjykatës në Kushtetuese.

Me forcimin e Lëvizjes Vetëvendosje në skenën politike, Vigan Qorrolli përmes postimeve të tij në Facebook dhe paraqitjeve në media shprehej pothuajse gjithnjë në sinkroni me partinë e Albin Kurtit, kryeministrit aktual.

Kur Qeveria e parë e Albin Kurtit ishte rrëzuar dhe LVV kërkonte që të shpalleshin zgjedhjet e reja, Qorrolli shprehej po njësoj, se pushteti i takon vetëm partisë që del e para në rezultatin zgjedhor.

“E vetmja zgjidhje shihen zgjedhjet. Meqë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese (2014) thotë shprehimisht se presidenti nuk ka diskrecion në refuzimin e kandidatit për kryeministër – po ky aktgjykim në petitumin e tij (pika dh.) thotë se, ‘në rast se kandidati për kryeministër nuk merr votat e nevojshme…’, dhe nuk flet nëse një kryeministër rrëzohet me mocion mosbesimi por, flet vetëm në rast se kandidati për kryeministër nuk e merr besimin e shumicës së nevojshme parlamentare (61 vota)”, shkruante Qorrolli.

(Kosova Sot Online)