Viagra zgjon nga koma infermieren e infektuar me COVID-19

  • E.K /
  • 03 January 2022 - 15:15
 Viagra zgjon nga koma infermieren e infektuar me COVID-19

Një infermiere në Angli, e cila kaloi 28 ditë në koma duke luftuar për jetën kundër Covid-19, u zgjua pasi mjekët i dhanë Viagra si pjesë e një trajtimi eksperimental. Monica Almeida, 37 vjeç, nga Gainsborough, Lincolnshire, astmatike e vaksinuar dy herë dhe nënë e dy fëmijëve, u shtrua në spital më 9 nëntor pasi rezultoi pozitive më 31 tetor.

Një javë më pas u transferua në reanimacion, ku mjekët e futën në koma artificiale më 16 nëntor. Zonja Almeida thotë se ishte vetëm tri ditë larg heqjes së ventilatorit kur gjendja nisi të përmirësohej dhe ajo u zgjua më 14 dhjetor.

Aktivizuesi i rritjes së flokëve nga shtëpia: Ja detajet!

Pas zgjimit, mjekët në Lincoln County Hospital i thanë se i kishin dhënë një dozë të madhe Viagre si pjesë e një regjimi kurues eksperimental për të cilin ajo kishte rënë dakord para se të hynte në koma. Ilaçi kundër mosfunksionimit erektil mundëson rrjedhje më të madhe të gjakut në të gjitha pjesët e trupit përmes relaksimit të enëve të gjakut dhe Almeida thotë se kjo bëri që gjendja e saj të përmirësohej brenda një jave dhe të binte përgjysmë niveli i oksigjenit të nevojshëm pasi ilaçi i hapi rrugët e qarkullimit të ajrit.

“Bëra një shaka të vogël me konsulentin pasi erdha në vete, sepse njihem me të. Ai më tha që kishin përdorur Viagra. Qesha dhe mendova se po bënte shaka, por ai më tha se më kishin dhënë vërtet një dozë të madhe Viagra. Kjo ishte mrekullia ime për Krishtlindje”, tha Almeida për The Sun.

Infermierja e lindur në Portugali doli nga koma më 14 dhjetor dhe u lejua të rikthehej pranë familjes në Vigjiljen e Krishtlindjeve.

Në Britani po kryhen testime për të parë nëse Viagra mund të përdoret për rritur nivelet e oksigjenit, në të njëjtën mënyrë si thithja e oksidit nitrik. Ilaçi po iu jepet pacientëve që kanë rënë dakord të bëhen pjesë e studimit për medikamentet eksperimentale.

“Ishte pa diskutim Viagra që më shpëtoi. Brenda 48 orëve më hapi rrugët e kalimit të ajrit dhe mushkëritë nisën të përgjigjeshin. Nëse po vrisni mendjen se si funksionon, Viagra zgjeron enët e gjakut”, tha infermierja për ‘The Mirror’.

(Kosova Sot Online)