“Festoni disfatën e shoqërisë serbe me një këngë që e lavdëron gjenocidin”

  • E.K /
  • 04 January 2022 - 11:54
“Festoni disfatën e shoqërisë serbe me një këngë që e lavdëron gjenocidin”

Festimi me këngën “Oj Sjenice Srebrenica e re, O Pazar Vukovari i ri”, e cila e lavdëron gjenocidin dhe krimet është disfatë e shoqërisë serbe që po zhytet gjithnjë e më shumë në urrejtje, thonë Camil Durakoviq, ish-kryetar i Srebrenicës dhe Fahrudin Kladnicanin nga Forumi i Iniciativës Akademike të Novi Pazarit.

Në një festë të organizuar para disa ditësh në një restorant në Priboj të Serbisë, anëtarët e ministrisë serbe të Punëve të Brendshme kënduan këngë ultra-nacionaliste, duke i thurur lavde gjenocidit në Srebrenicë, shkatërrimit të Vukovarit e duke bërë thirrje për krime të reja ndaj minoriteteve në Serbi.

Videoja është postuar në profilin e tij në Facebook nga pjesëtari i Drejtorisë së Policisë së Pribojit, Marko Pantoviq, por është hequr shumë shpejt. Mirëpo gazetarët e portalit sandzakpress.net e ruajtën videon dhe e publikuan në kanalin e tyre në YouTube.

Në video shfaqen dhjetëra zyrtarë të Ministrisë së Bunëve të Brendshme të Serbisë.

Me rastin e sjelljes së turpshme të policëve në Priboj, edhe presidenti Aleksandar Vuçiq tha se nuk është mirë apo mençuri të ofendohen pjesëtarët e kombeve të tjera duke u kujtuar për vrasjet dhe se askush nuk duhet ta bëjë këtë.

Për ato pamje dje foli presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ai ua la fajin mediave kroate, pasi sipas tij, ato “qëllimisht promovojnë histori negative nga Serbia dhe nuk u kushtojnë vëmendje sukseseve të Beogradit”.

Dragan Zekoviq, organizatori i festës, në profilin e tij në Facebook u ka kërkuar falje të gjithë atyre që janë lënduar nga “kënga që u dëgjua atë mbrëmje”.

“Gjatë festës nuk ka pasur muzikë live, por është nxjerrë nga lista e shkarkuar nga interneti (theksoj që nuk ka pasur asnjë individ që ka porositur dhe luajtur muzikë, as kënga e diskutueshme nuk ka qenë dëshirë individuale e dikujt)”, ka shkruar ndër tjerash Zekoviq.

Camil Durakoviq, ish-kryetar i Komunës së Srebrenicës, thekson për Danas se skandali në Priboj, për fat të keq, pasqyron qëndrimin zyrtar të Serbisë, i cili verifikon narrativën e mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, transmeton Express.

“Pra, nuk është çudi që qytetarët e Serbisë e perceptojnë atë si një akt heroik, dhe jo si një krim të gjenocidit të përcaktuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Nuk është çudi që policët të bëjnë gjëra të tilla kur keni një ministër policie kaq skizofren”, thotë Durakoviq.

Ai komentoi edhe kërkimfaljen e zyrtarit të ministrisë serbe.

“Kërkimi i faljes ishte një përpjekje e qëllimit të tij të fshehur për të kënduar këngë që bënin thirrje për Srebrenicën dhe Vukovarin e ri në atë festë të lindjes së djalit të tij. Është më shumë një disfatë e shoqërisë serbe sesa një fyerje për ne që i mbijetuam Srebrenicës dhe Vukovarit. Barrën do ta mbajnë brezat e ardhshëm në Serbi, nëse nuk ka ndryshim në atë narrativë revizioniste që, në krahasim me gjithë botën e qytetëruar, Serbia, si një nga vendet e pakta, vazhdon të mohojë zyrtarisht gjenocidin në Srebrenicë”, thekson Durakoviq.

Fahrudin Kladnicanin, koordinator i programit të Forumit të Iniciativës Akademike nga Novi Pazari, dënoi sjelljen e zyrtarëve serbë dhe tha se ishte e frikshme që ndodhi në Priboj, vend i cili në vitet 1990 u përball me djegien e fshatit, persekutimin, rrëmbimet e boshnjakëve dhe ngjarje të tjera të tmerrshme.

“Shoqëria në Serbi asnjëherë nuk është përballur realisht me të kaluarën dhe tmerret e viteve 1990 dhe fenomene të tilla janë të pritshme. Nga muralet deri te repertori nacionalist i tavernave, kjo shoqëri zhytet në narrativa urrejtjeje, e cila është shumë e rrezikshme, sidomos për mjediset multietnike si Priboj apo Sanxhaku. Shoqëria i ka normalizuar dukuri të tilla dhe ato janë bërë shoqërisht të pranueshme, sikur ato fjalë thërrasin për dashuri, paqe, e jo për gjenocid, vrasje, persekutim. Dikush duhet të reagojë, ta thyejë këtë zinxhir tmerri, sepse çdo ditë e më shumë zhytemi në nacionalizmin lakuriq dhe primitiv dhe kjo nuk i duhet askujt dhe askujt prej nesh nuk i sjell të mira”, thekson Kladnicanin.

Gazeta serbe, Danas, shkruan se dje i ka dërguar një e-mail zyrtar MPB-së së Serbisë, duke pyetur nëse do të bëjë hetime për skandalin në Priboj. Nuk kanë marrë përgjigje.

Në një intervistë për Novosti-n, Aleksandar Vulin, ministri i Brendshëm serb, pyeti se çfarë do të përfitonte Serbia nga anëtarësimi eventual në Bashkimin Evropian nëse, siç tha ai, kjo do të thoshte se “ne duhet të heqim dorë nga e vërteta për popullin tonë, ta pranojmë gjenocidin e Srebrenicës”.

(Kosova Sot Online)