Dega e VV’së në Prishtinë: Marrim pjesë në seancë, por s’do t’ju bëjmë shërbime subjekteve tjera

  • E.K /
  • 05 January 2022 - 10:52
Dega e VV’së në Prishtinë: Marrim pjesë në seancë, por s’do t’ju bëjmë shërbime subjekteve tjera

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka njoftuar se asambleistët e kësaj partie do të marrin pjesë në seancën për konstituimin e Kuvendit Komunal në Prishtinë.

Nga kjo parti kanë thënë se nuk do të propozojnë as kandidat për kryesues të kuvendit dhe se do të qëndrojnë në sallë gjatë procesit të votimit.

 “Grupi i asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të marrë pjesë sot në seancën e Kuvendit Komunal në Prishtinë, ku pritet të zgjedhet Kryesuesi i këtij Kuvendi.

Edhe pse subjekti më i madh dhe me të drejtën e propozimit të kandidatit për kryesues, LVV nuk do ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe ja kalon radhën subjekteve që bashkërisht i fituan zgjedhjet në Kryeqytet me 14 nëntor”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se mbetet përgjegjësi e Përparim Ramës dhe LDK’së që t’i arrijnë numrat e nevojshëm për ta përfunduar procesin e konstituimit.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të jetë bllokuese e proceseve, por as nuk do të ju bëjë shërbime subjekteve tjera. E, megjithatë ne do të qëndrojmë në sallë gjatë procesit të votimit.

Mbetet përgjegjësi e kryetarit të zgjedhur dhe subjektit të tij që t’i arrijnë numrat e nevojshëm për ta përfunduar procesin e konstituimit, edhe ashtu të vonuar, të Kuvendit Komunal”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)