Rusia reagon pasi Kosova e shpalli “non grata” zyrtarin e UNMIK-ut

  • E.K /
  • 05 January 2022 - 13:55
Rusia reagon pasi Kosova e shpalli “non grata” zyrtarin e UNMIK-ut

Rusia pret që OKB-ja të marrë masa lidhur me vendimin e Kosovës të premtën për ta shpallur “non grata” një zyrtar rus të UNMIK-ut.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova tha se shpreson që shpallja “non grata” e zyrtarit rus të misionit të UNMIK-ut do ta marrë përgjigjen e merituar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

“Ne presim që ky arbitraritet i Prishtinës të marrë një përgjigje të duhur kategorike nga udhëheqja e OKB-së”, tha ajo.

“Ne i bëjmë thirrje Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe Forcës Paqeruajtëse Ndërkombëtare të Kosovës (KFOR) që të garantojnë sigurinë e rusëve dhe të gjithë anëtarëve të misionit të OKB-së, brenda autoritetit të tyre sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha kryediplomatja ruse.

Zakharova e cilësoi vendimin e Kosovës si “vazhdimësi e linjës provokuese që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike”.

“Rusia dënon hapat e marrë nga Kosova”, tha ajo, duke e quajtur agresiv vendimin e Kosovës.

Por OKB-ja ka reaguar tashmë për shpalljen “non grata” të zyrtarit rus. Të dielën, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric deklaroi se UNMIK-u s’ka pranuar asnjë komunikim zyrtar nga institucionet e Kosovës për këtë vendim. OKB-ja e konsideron të pazbatueshme “non grata”-n e Kosovës për zyrtarin rus.

“Jemi vënë në dijeni për shpalljen ‘persona non granata’ të një anëtari të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut. Nuk është pranuar asnjë komunikim te Misioni nga autoritetet e Kosovës sa i përket këtij njoftimi. Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është e parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it, UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë)”, thuhet në reagim.

Po atë ditë, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës erdhi një ‘replikë’ ndaj OKB-së.

Sharr Jakupi, shef i stafit në MPJD, shkroi se kjo ministri e kishte njoftuar UNMIK-un për vendimin.

“UNMIK-u është njoftuar nga MPJD të premten, më 31 dhjetor 2021, se një nga zyrtarët e tyre ishte shpallur persona non-grata”, shkroi Jakupi në Twitter.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të premten e ka shpallur “non grata” një zyrtar rus të misionit të UNMIK-ut.

“Sot, Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka shpallur person non grata një zyrtar rus të UNMIK-ut me zyrë në Prishtinë. Kosova qëndron me aleatët e saj për të vepruar kundër veprimeve të dëmshme që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës dhe rendin kushtetues”, u tha në njoftimin e MPJD-së.

Një zyrtar ndërkombëtar brenda UNMIK-ut, me inicialet P.T. ka bërë të ditur se zyrtari rus i UNMIK-ut, Andrey Nikolaevich Antonov, i cili u shpall “non grata” nga Republika e Kosovës, ka qenë i ngarkuar me punë në degën e UNMIK-ut në Mitrovicën Veriore dhe po ushtronte presion mbi strukturat politike serbe për të ndërmarrë veprime radikale.

(Kosova Sot Online)