Qeverisë i kërkohet më shumë angazhim në dialogun me Serbinë

  • A.P /
  • 05 January 2022 - 20:06
Qeverisë i kërkohet më shumë angazhim në dialogun me Serbinë

Bashkimi Evropian ka hezituar të japë informacione këtë të mërkurë lidhur me atë se çfarë mund të pritet lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Në një përgjigje me shkrim nga zëdhënës të BE-së thuhet se data e takimeve të radhës do të bëhet e ditur nëse dhe kur të jetë e përshtatshme.

“Si gjithmonë, ne bëjmë të ditur çdo takim të ardhshëm të dialogut nëse dhe kur është e përshtatshme. Përfaqësuesi i lartë Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së Lajçak vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ndihmuar të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet nga zyra për media e BE-së.

Derisa nga Qeveria e Kosovës, të mërkurën kanë thënë se do të insistojnë që dialogu të jetë i drejtuar kah normalizimi i marrëdhënieve, dhe se i njëjti të mos cenojë sovranitetin kushtetues të Kosovës.

“Qeveria jonë do të insistojë që dialogu të mos cenojë asnjë dimension të sovranitetit kushtetues të Republikës, dhe të jetë i kthyer kah normalizimi i marrëdhënieve bilaterale, në mënyrë të tillë që të dyja shtetet të shohin kah anëtarësimi në Bashkimin Evropian, si dhe partneriteti e anëtarësimi i përhershëm në NATO. Takimet e radhës, kurdo që ato ftohen nga përfaqësuesi i lartë, do të mirëpriten, por ne e ritheksojmë vendosmërinë tonë që dialogu të kornizohet me parime të mirëfillta të demokracisë liberale, dhe të jetë i bazuar në ballafaqimin me të kaluarën dhe garantimin e së ardhmes në Bashkimin Evropian. Në frymën e kësaj, ne presim që takimet e tilla të jenë të qarta sa u përket pritjeve, dhe të ofrojnë një mundësi reale për ndryshim të marrëdhënieve bilaterale, në shërbim të së cilës edhe duhet të mbahen këto takime”, tha zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi.

Por qasjen e kreut të Ekzekutivit e ka kritikuar profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

“Gabimi më i madh dhe më strategjik i Qeverisë së Kosovës është që nuk po është proaktive pikërisht në këtë fushë sepse duke e parë që dialogu për neve është jetik, në kuptimin e zhvillimit ekonomik, sepse ne kemi ngecur, nga miqtë ndërkombëtarë aq sa kam kuptuar është se asnjë kompani serioze nuk investon në Kosovë, sepse përveç problemeve që i kemi në drejtësi kemi edhe probleme edhe të territorit të diskutuar”, tha Arifi.

Arifi nuk pret ndonjë zhvillim konkret në pjesën e parë të këtij viti, derisa thotë se gjysma tjetër do të ishte më aktive në rast se në bisedime përfshihet edhe Amerika.

Sa i përket dialogut, viti 2021 është karakterizuar me vetëm dy takime të nivelit të lartë e disa të tjera të ekipeve negociatore, por të cilat nuk sollën ndonjë rezultat.

(Kosova Sot Online)