Sami Kurteshin e zë në befasi marrëveshja VV-PDK në Gjilan: E paskan bo a?

  • E.K /
  • 06 January 2022 - 14:48
Sami Kurteshin e zë në befasi marrëveshja VV-PDK në Gjilan: E paskan bo a?

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka komentuar marrëveshjen e LVV-së me PDK-në për të qeverisur në qytetin e Gjilanit.

Kurteshi lajmin për këtë lidhje të koalicionit thotë se po e dëgjon nga mediat.

“Po a me PDK-në e paskan bo a? Shumë mirë, prej juve po dëgjoj”, ka thënë ai përderisa ka shtuar se nuk ndodhet në Kosovë.

Kurteshi për “Gazeta Blic”, ka thënë se koalicioni në Gjilan nuk ka mundur të arrihet me parti të tjera duke përmendur këtu edhe Listën Serbe pasi që, sipas tij, ata kanë vetëm një këshilltar komunal.

Kurteshi ka pasur edhe një vlerësim për këtë marrëveshje të lidhur ndërmjet VV e PDK në Gjilan.

“Më mirë me partitë shqiptare sesa me listën serbe. PDK, LDK, AAK, kushdo qoftë”, ka thënë ai.

Ai nuk ka dashur të komentoj më shumë për akuzat që ka bërë VV e ai personalisht ndaj PDK-së në të kaluarën.

“ Qomi 10 pyetje me email të përgjigjem edhe për këto ama tash mos ma ndërro temën …”,ka shtuar Kurteshi.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, sot kanë arritur marrëveshje për të bashkëqeverisur në komunën e Gjilanit.

(Kosova Sot Online)