Erdogan kërcënon me sulme të reja në Siri

  • A.P /
  • 06 January 2022 - 20:37
Erdogan kërcënon me sulme të reja në Siri

Turqia po kërcënon të nisë një operacion të ri ushtarak kundër forcave kurde në Siri, pas një sulmi vdekjeprurës në territorin sirian ku ndodhen forca turke. Ankaraja ka fajësuar grupin kurd YPG për sulmin vdekjeprurës të tetorit me makinë-bombë në rajonin sirian të Afrinit që kontrollohet nga Turqia.

“Ne jemi duke humbur durimin në disa zona të Sirisë që janë bërë burim sulmesh terroriste ndaj vendit tonë”, tha Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Turqia po akuzon luftëtarët e grupit Njësia për Mbrojtjen e Popullit ose YPG për lidhje me separatistët kurdë, që luftojnë në territorin turk, një akuzë që ky grup e ka mohuar.

Presidenti Erdogan thotë se forcat turke dhe rebelët sirianë të mbështetur nga Turqia do të kërkojnë largimin e YPG-së nga qyteti strategjik Tell Rifaat. Ankaraja beson se kjo është pika e nisjes së sulmeve të grupit kurd kundër forcave turke në Siri.

(Kosova Sot Online)