Danimarka planifikon ta çojë një pirat në burgjet e Kosovës

  • G.G /
  • 07 January 2022 - 11:34
Danimarka planifikon ta çojë një pirat në burgjet e Kosovës

Nëse ai dënohet për vepër penale, Danimarka kërkon që ai të vuajë dënimin në burgun e Kosovës.

“Po punojmë që të kemi një burg në Kosovë dhe ai (pirati) do të jetë kandidat për të vuajtur dënimin atje. Sepse ai nuk ka të bëjë fare me Danimarkën”, tha ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Hækkerup, për agjencinë e lajmeve Ritzau, raporton Paparaci.

Në dhjetor, Danimarka dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje për dërgimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në burgjet e Kosovës. 

Më 24 nëntor, anija ushtarake daneze Esben Snare u sulmua nga piratët gjatë një misioni patrullimi në Gjirin e Guinesë. 

Katër piratë u vranë në një përleshje me armë zjarri me ushtrinë daneze, por katër të tjerë mund të arrestohen nën dyshimin për tentim-vrasje.

Njëri prej tyre ishte plagosur dhe dërguar në një spital në Ganë. Është pirati i plagosur ai që është dërguar me avion në Danimarkë dhe mëngjesin e së premtes ka dal para gjykatësit në Kopenhagë.

“Për shkak të detyrimeve ndërkombëtare të Danimarkës dhe gjendjes shëndetësore të piratit të dyshuar, është vlerësuar se nuk kishte rrugë tjetër veç sjelljes së personit në fjalë në Danimarkë”, tha Nick Hækkerup në një deklaratë për shtyp. 

Një nga katër piratët e arrestuar pas një sulmi me armë zjarri ndaj një anije ushtarake daneze në Gjirin e Guinesë vitin e kaluar, mund të përfundojë në burg në Kosovë. 

Pirati afrikan doli sot para një gjykatësi në Kopenhagë, raportojnë mediat daneze.

(Kosova Sot Online)