“As kërcënim, as shantazh…”, SBASHK-u paralajmëron greva, ka disa fjalë për Qeverinë

  • E /
  • 07 January 2022 - 14:35
“As kërcënim, as shantazh…”, SBASHK-u paralajmëron greva, ka disa fjalë për Qeverinë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, e ka paralajmëruar Qeverinë se mund të ketë grevë.

Përmes një komunikate për media, SBASHK-u thotë se ky paralajmërim nuk është as shantazh e as kërcënim, por paralajmërim me kohë, se mund të ketë grevë.

“SBASHK në takimet e shumta me Ministren Nagavci ka shprehur gatishmërinë për angazhime të përbashkëta në shërbim të arsimit dhe ngritjes së vazhdueshme të cilësisë. Ka kërkuar SBASHK nga Ministrja që të ngrit në Qeveri kërkesën që të ndahet buxhet për të pajisur shkollat me mjete të punës për shekullin 21 në mënyrë që  të zëvendësohet  shkumësi  e shpuza  me lop top e projektorë. Kemi  ngritur zërin në këto takime edhe për trajnimet dhe kemi tejkaluar edhe pritjet tona duke organizuar , pa ndihmën e askujt, trajnime me mësimdhënës nga e tërë Kosova , aktivitet në të cilin kanë marrë pjesë 5000 punëtorë të arsimit”, thuhet në deklaratën e SBASHK-ut.

Tutje, SBASHK-u thotë se i ka kërkuar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, të kërkojë nga Qeveria Kurti që të kryhet obligimi ndaj 400 punetorëve te arsimit me sëmundje të rënda, duke siguruar mjete buxhetore dhe duke i liruar nga procesi mësimor për një vit.

“Kemi kërkuar me ngulm që Ministrja Nagavci të kërkojë nga Qeveria Kurti që të kryhet obligimi moral e njerëzor ndaj 400 punëtorëve të arsimit me sëmundje të rënda e të veprojë, se paku, siç bëri Qeveria Hoti, që siguroi mjete buxhetore dhe liroi nga procesi mësimor për një vit këta njerëz, që vuajnë nga sëmundjet nga më të rëndat, por  në vitin 2021 kjo nuk u realizua . Ne insistuam e apeluam  edhe për vaksinimin  e punëtorëve të arsimit dhe apeli ynë u dëgjua nga të gjithë dhe tani kemi me shumë se 95 % të punëtorëve arsimor të vaksinuar”, thuhet në komunikatë.

Sipas sindikatës, mësimdhënësit janë të gatshëm që procesin mësimor ta mbajnë në institucionet arsimore.

“Ne e  kemi thënë publikisht e në emër të punëtorëve të arsimit  se jemi të gatshëm e të përkushtuar , që pavarësisht vështirësive të mëdha të krijuara nga pandemia, të mbajmë procesin mësimor në institucione arsimore. Ne dëshmuam  do të dëshmojmë se jemi në shërbim të arsimit, por edhe në shërbim të kërkesave të anëtarësisë”, thuhet në komunikatë.

Sipas SBASHK-ut, ministrja Nagavci po nervozohet sa herë po paralajmërohen veprime sindikale.

“Ministrja Nagavci dhe Qeveria sikur nuk duan t’i shohin e t’i pohojmë gjithë këto angazhime tonat në shërbim të arsimit dhe  kurdo herë që mediet pyesin për paralajmërimet tona legjitime se nëse Qeveria nuk  i mbanë premtimet dhe fjalën e dhënë do të ketë veprime sindikale  Ministrja Nagavci nervozohet dhe përmend fjalët  shantazh dhe kërcenim”, deklaron SBASHK-u.

SBASHK-u deklaron se kur ishte marrë vendimi për pezullimin e protestave dhe grevave, sindikata kishte dhënë një afat për plotësimin e kërkesave nga ana e Qeverisë.

Por, SBASHK-u thotë se institucionet nuk po i respektojnë afatet e caktuara.

Ministrja Nagavci ishte edhe në takimin tonë me Ministrin Sfeçla dhe ne pezulluam  protestat e grevat për t’i dhënë hapësirë  dialogut dhe punës së  qetë të komisionit te ngritur për ligjin e pagave, por kërkuam afate dhe kjo është shumë e drejtë e po ashtu u deklaruam publikisht se nëse këto afate nuk respektohen në fund të marsit organet e SBASHK do ta dëgjojnë zërin e anëtarësisë dhe  nuk përjashtohen as veprimet sindikale, gjegjësisht grevat  dhe  Qeveria do të jetë përgjegjëse pse nuk ka mbajtur fjalën  dhe premtimin e dhënë. Ky nuk është As shantazh, as kërcenim , po paralajmërim me kohë se  grevë mund të ketë”, thuhet në deklaratën e SBASHK-ut.

(Kosova Sot Online)