“Fushëbetejë” në rrugët e Kazakistanit, rreth 4,000 të arrestuar deri më tani

  • S.A /
  • 08 January 2022 - 08:34
“Fushëbetejë” në rrugët e Kazakistanit, rreth 4,000 të arrestuar deri më tani

Situata në Kazakistan vijon të jetë kaotike. Njerëzit protestojnë për trazira ekonomike dhe politike dhe presidenti përpiqet të frenojë dhunën me deklarata të diskutueshme. Një gjurmë e zezë në ish-republikën sovjetike. Pamjet e publikuara të paralizës në rrugë po shkaktojnë shqetësim të thellë në të gjithë botën ndërsa viktimat vlerësohen të jenë me qindra. Arrestimet po bëhen me ritme problematike dhe duket se situata aktuale po derdh ujë në mullirin e konfliktit SHBA-Rusi .

Deri më tani, shërbimet e sigurisë kanë arrestuar 3,811 persona, tha ministria e brendshme, duke shtuar se 26 pjesëmarrës në incidente u vranë dhe 26 të tjerë u plagosën. Po ashtu u njoftua se 10 personel sigurie ishin plagosur në trazira.

Në Kazakistan, shteti më i madh në Azinë Qendrore, trazirat shpërthyen të dielën e kaluar, për shkak të rritjes së çmimit të karburantit. Më pas ato u përhapën në qytetet kryesore, veçanërisht në Almaty, kryeqyteti financiar, ku u shndërruan në protesta të dhunshme antiqeveritare.

(Kosova Sot Online )