Burgim të përjetshëm mësuesit gjerman që e ftoi mekanikun për intimitet e ia copëtoi trupin

  • S.A /
  • 08 January 2022 - 09:07
Burgim të përjetshëm mësuesit gjerman që e ftoi mekanikun për intimitet e ia copëtoi trupin

Një mësues nga Berlini është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një burri. Gjykatësi i rastit tha se i akuzuari e kreu vrasjen si pjesë e fantazive të veta kanibale.

Burri 42-vjeçar, i identifikuar si Stefan R., u shpall fajtor gjithashtu për pengimin e paqes së të vdekurit pas procesit gjyqësor që filloi në gusht të vitit të kaluar, shkruan The Guardian.

Gjykata shtetërore e Berlinit vlerësoi se i pandehuri e vrau mekanikun 43-vjeçar në shtator të vitit 2020 “për t’i bërë realitet fantazitë e tija kanibale”, raportoi agjencia e lajmeve, DPA. “Ajo që bëre ti ishte çnjerëzore”, i tha të pandehurit gjykatësi Matthias Schertz.

Sipas hetuesve, burrat ishin njoftuar në një uebfaqe për takime intime dhe ishin pajtuar që të takoheshin për marrëdhënie intime në banesën e mësuesit nga Berlini. Gjykata vlerësoi se i pandehuri e vrau burrin tjetër aty, ia preu trupin dhe pjesët më pas ia la në lagje të ndryshme të qytetit. Gjykata tha se viktima nuk kishte pritur “sulm ndaj jetës së vet”.

Gjykatësi tha se i pandehuri kishte zhvilluar ide për kanibalizëm e therje dhe kishte vizituar forume për kanibalizmin në internet. Hetuesit gjetën një sharrë për prerjen e eshtrave dhe thika të posaçme në banesën e të pandehurit.

Prokurorët thanë se i pandehuri ia ka prerë viktimës organet gjenitale me qëllim të ngrënies së tyre dhe gjykatësit u pajtuan me këtë vlerësim, raportoi agjencia DPA. Nuk dihet nëse i akuzuari e kishte arritur qëllimin e plotë.

Policia për disa javë e kishte kërkuar mekanikun e zhdukur para se kalimtarët të gjenin eshtra në një pyll të Berlinit. Gjykata tha se i pandehuri mban përgjegjësi “veçanërisht të rëndë”, që do të thotë se ai nuk do të ketë të drejtë automatike për të kërkuar lehtësim të dënimit pas 15 vjetëve, që është e zakonshme në Gjermani.

(Kosova Sot Online )