Hodaj thotë se gjyqtari i Speciales duhet të ishte më fleksibil në lirimin e Veselit për varrimin e nënës së tij

  • A.P /
  • 10 January 2022 - 18:10
Hodaj thotë se gjyqtari i Speciales duhet të ishte më fleksibil në lirimin e Veselit për varrimin e nënës së tij

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është liruar sot nga paraburgimi në Hagë dhe ka vizituar familjen e tij në Kosovë, pasi Gjykata Speciale i dha leje speciale për të vizituar familjen e tij dhe varrin e nënës së tij, e cila vdiq dy ditë më parë. Veseli nuk arriti të ishte i pranishëm në varrimin e saj.

Për mos lirimin e Veselit ditën kur u varros nëna e tij, ka folur avokati Taulant Hodaj.

Ai ka thënë se nga këndvështrimi njerëzor, lirimi i Veselit mund të jetë i vonuar, ndërsa nga këndvështrimi juridik, ka arsye ligjore.

Sipas tij, gjyqtari ka kohë tre ditë që të vendos në lidhje me lirimin e përkohshëm nga paraburgimi, megjithëse sipas tij, ai është dashur të jetë më fleksibil duke pasur parasysh që varrimi bëhet në mënyrë të përshpejtuar.

“Unë besoj që nga këndvështrimi njerëzor mund të jetë e vonuar, ndërsa nga këndvështrimi juridik apo nga ato siç parashihen në rregullat e procedurës pranë Dhomave të Specializuara, është arsyetim ligjor, ku sipas këtyre rregullave, kur ka arsye bindëse humanitare dhe është një ndër arsyet bindëse nëse ke vdekje të një anëtari të familjes, atëherë i paraburgosuri mund të kërkoj nga gjyqtari i procedurës paraprake, apo varësisht nëse është në gjykim nga paneli i gjyqtarëve, të kërkoj lirim të përkohshëm nga paraburgimi për këto arsye. Dhe pastaj gjyqtari, brenda tri dite ka për detyrë të vendos në lidhje me lirimin e përkohshëm për arsye bindëse humanitare, por besoj që edhe gjyqtari është dashtë me qenë më fleksibil, duke pas parasysh te vdekjet që varrimi bëhet në mënyrë të përshpejtuar”, ka deklaruar ai.

Hodaj ka folur edhe për përcjelljen e Veselit në Mitrovicë nën masa të rrepta.

Ai ka thënë se Ligji i jep të drejt gjyqtarit që të vendos në lidhje me masat kur e bënë lirimin e përkohshëm andaj edhe sipas tij, gjyqtari ka vendosur rregulla strikte ndaj Veselit.

(Kosova Sot Online)