Studentët kërkojnë që të funksionalizohet objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë, thonë se ka pasur keqpërdorime

  • E.K /
  • 11 January 2022 - 12:14
Studentët kërkojnë që të funksionalizohet objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë, thonë se ka pasur keqpërdorime

Lëvizja Studentore Studim Kritikë Veprim (SKV) përmes një aksioni simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës ka kërkuar që të vihet në funksion objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Getoar Sylaj nga kjo organizatë tha se objekti në fjalë ka filluar të ndërtohet qysh në vitin 2013 dhe duhet që të përurohej në vitin 2016.

Sipas tij, në tenderin prej 3.5 milionë eurosh ka pasuar keqpërdorime, ngase kompania ndërtuese është regjistruar  një vit pasi filluan punimet.

“Jemi mbledhur këtu për të shprehur pakënaqësitë tona lidhur me mosfunksionalizimin e objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë. Objekti në fjalë ka filluar të ndërtohet në vitin 2013 dhe ende nuk ka përfunduar, me 4 korrik të atij viti është bërë nënshkrimi i kontratës sipas së cilës inaugurimi do të duhej të ndodhte në vitin 2016. Pra edhe muaj bëhen plotë nëntë vjet që ky fakultet është në ndërtim e sipër”, ka deklaruar ai.

Tutje ai ka deklaruar se ka pasur keqpërdorime në tender.

“Është më se e qartë se në këtë tender prej 3.5 milionë eurosh ka pasur keqpërdorime e është bërë biznes që në fillim”, deklaroi ai.

Nga e gjithë kjo situatë, ai shton se po pësojnë më së shumti studentët të cilët po detyrohet që ushtrimet e ligjëratat t’i zhvillojnë në objekte të tjera që nuk ofrojnë kushtet e nevojshme.

Sylaj ka kërkuar që objekti të vihet në funksion sa më shpjet dhe që keqpërdoruesit të vihen para drejtësisë.

Kurse Dea Lala, studente në këtë Fakultetet tha se është nevojë urgjente që tu gjendet një zgjidhje ngase po zvhillojnë mësimin në objekte joadekuate, raporton EO.

“Ligjëratat po i zhvillojmë në FShMN kurse ushtrimet në objektin e vjetër të fakultetit. Nga kjo situatë po dëmtohemi, më e pata që mund të bëhet për ne është sigurimi i një hapësire adekuate. Duhet të ndërmerret diçka”, shtoi ajo.

(Kosova Sot Online)