Vrasja në “Don Bosko”, flet vëllai i viktimës: Shënjestra e sulmit nuk ishim ne

  • E.K /
  • 11 January 2022 - 15:46
Vrasja në “Don Bosko”, flet vëllai i viktimës: Shënjestra e sulmit nuk ishim ne

Policia dhe Prokuroria nuk kanë ende asnjë autor të dyshuar për atentatin e ndodhur një javë më parë në Don Bosko, në Tiranë me 1 të vrarë e 4 të plagosur.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se tre ditë më parë, Blerim Çela, vëllai i viktimës, Erion Çelës, ka dalë nga reanimacioni. Ai vijon të jetë i shtruar në Spitalin e Traumës. Dëshmia e tij konsiderohej kyçe për hetuesit.

28 vjeçari është rimarrë sërish në pyetje mesditën e djeshme. Kjo pasi dy ditë pas ngjarjes, ai i tha policisë se nuk kishte konflikte me njeri.

ABC mëson se edhe në dëshminë e dytë, 28 vjeçari Çela ka mohuar të ketë konflikte me njeri. Madje hetuesve u është drejtuar me fjalës, se autorët mund t’i kenë ngatërruar dhe se nuk kanë qenë ata objektiv i atentatit.

Por, pavarësisht këtij pretendimi, policia është e bindur se shkak i atentatit është konflikti për drogën. Kjo, nisur nga precedenti i mëparshëm i dajës së vëllezërve Çela, Edmond Crroj, i cili mbeti i plagosur në atentatin e pasdites së 4 janarit. Më herët, ai është proceduar në Itali për drogë e në Francë për trafikim të qenieve njerëzore. Në Itali, për trafikim droge janë hetuar edhe dy vëllezërit Blerim dhe Erion Çela.

Ndërsa për makinën Mercedes Benz E Class të përdorur nga autorët, policia nuk ka ende asnjë gjurmë të saj.

(Kosova Sot Online)