Rriten rastet me COVID-19 gjatë muajit janar në Kosovë

  • A.P /
  • 11 January 2022 - 20:15
Rriten rastet me COVID-19 gjatë muajit janar në Kosovë

Në Kosovë, ditët e para të muajit janar shënuan rritje të rasteve të reja me COVID-19, në krahasim me tre mujorin e fundit të vitit paraprak. Nga data 1 janar e deri më sot janë regjistruar 1 mijë e 785 raste të reja të infektimeve, më shumë se katërfishi i rasteve sa ishin në muajin dhjetor.

Të martën në Kosovë u konfirmuan 356 raste të reja të infektimeve nga 7 mijë 258 testimeve të kryera. Me shifrat e fundit, numri i rasteve aktive shkoi mbi dy mijë, një shifër kjo që gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar sillej në rreth 300.

Shkalla e infektimeve kundrejt testimeve ditëve të fundit ishte rreth 3 për qind, ndërsa sot u rrit në pesë për qind.

Autoritetet e shëndetësisë kanë paralajmëruar ashpërsim të masave në rast se numri i të prekurve do të vazhdoj të rritet. Deri më tash nga COVID-19 në Kosovë kanë humbur jetën dy mijë e 991 qytetarë.

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar të dhënat e vaksinimit kundër COVID-19 ku sipas tyre më shumë se 70 për qind e qytetarëve të moshës së rritur kanë marrë të paktën një dozë, ndërsa mbi 62 për qind e tyre janë plotësisht të vaksinuar. Aktualisht në Kosovë ka filluar vaksinimi edhe me dozë përforcuese apo dozën e tretë për të mbrojtur qytetarët nga variantet e reja të COVID-19.

(Kosova Sot Online)