ShBA-ja i bën thirrje Bosnjës që t’i hetojë ceremonitë e Republikës Serbe

  • E.K /
  • 12 January 2022 - 10:02
ShBA-ja i bën thirrje Bosnjës që t’i hetojë ceremonitë e Republikës Serbe

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje autoriteteve në Bosnjë e Hercegovinë që t’i hetojnë ceremonitë e mbajtura në fundjavën e kaluar për ta shënuar “Ditën e Republikës Serbe”, të ndaluar me ligj.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha të martën se Shtetet e Bashkuara “janë thellësisht të shqetësuara rreth raportimeve për gjuhë të urrejtjes, glorifikim të kriminelëve të luftës dhe incidente provokuese që i kanë cak të kthyerit në entitetin e Republikës Serbe” gjatë ceremonive.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve kompetente që t’i hetojnë këto incidente pa vonesë dhe të kërkojnë llogari nga individët përgjegjës”, shtoi ai.

E ashtuquajtura Republikë Serbe më 9 janar e festoi atë që udhëheqësit e saj e quajnë “ditë kombëtare”, por të cilën gjykata më e lartë boshnjake e ka vlerësuar jokushtetuese, shkruan Free Europe.

Kjo ditë e shënon një ngjarje me 1992, kur serbët e Bosnjës e kishin shpallur shtetin e tyre, duke e nxitur nisjen e luftës 4-vjeçare, në të cilën u vranë mbi 100.000 njerëz e miliona të tjerë mbetën pa strehë.

(Kosova Sot Online)