Haradinaj replikon me prokurorin në Speciale: E keni kapur drejtësinë, askush s’pyetet më në Kosovë

  • E.K /
  • 12 January 2022 - 12:27
Haradinaj replikon me prokurorin në Speciale: E keni kapur drejtësinë, askush s’pyetet më në Kosovë

Nasim Haradinaj është duke e vazhduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

Haradinaj u konfrontua sot me prokurorin lidhur me deklaratat për emrat e dëshmitarëve të Speciales. Haradinaj tha se asnjëherë nuk ka përmendur emra, teksa i ka bërë thirrje prokurorit që mos të spekulojë.

“Z. Prokuror, bisedën e parë po më detyron më të thënë ‘mos spekulo’. Ti mos spekulo mem kallxu mua se kujt i thashë ashtu. Unë nuk thashë dëshmitarë, por thashë për ju prokuror për ju si Prokurori për skandalin që e keni bërë. Prandaj mos spekulo me mendimin tënd se kujt i kam thënë unë. Dëgjo mirë, përkthe mirë dhe e sheh. Ju jam drejtuar, me skandalin e juve. Ju e keni shkatërruar. Ju kam thënë edhe këtu. Ju e keni shkatërruar vetveten. Nëse mendoni për dëmet që janë shkaktuar deri më tani, ju i keni shkaktuar, me fajin e juaj ose qëllim e juaj”, ka thënë ai.

Më tutje, ai i tha prokurorit që të sqarojë nëse po pyetet për atë së çfarë emrash të dëshmitarëve ka parë, apo për atë se çfarë ka thënë.

“Ti po më pyet mua çfarë kam parë apo çfarë kam thënë? Të lutem sqaro pyetjen se për mua është me dy qëllime kjo pyetje. Çfarë kam parë apo çfarë kam deklaruar”, deklaroi ai.

Haradinaj deklaroi se deputetët që e kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale, e kanë fajin që “prokurori ta uzurpojë drejtësinë”.

“82 parlamentare që e kanë çuar gishtin pa e ditur se çka po bëjnë, fajin e kanë deputetët e Kosovës që ta kanë mundësuar ty zotëri prokuror t’i uzurposh kompetencat edhe të Gjykatës Kushtetuese, edhe të Avokatit të Popullit edhe të drejtësisë. Nuk pyetet askush më në Kosovë”, deklaroi ish-zyrtari i Organizatës të Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Prokurori më tutje ka vazhduar edhe me pyetjet rreth rastit të dëshmitarëve dhe dosjeve që kanë dalë në publik.

Haradinaj tha se nuk i komenton deklarimet e dëshmitarëve të tjerë që kanë dëshmuar para trupit gjykues.

(Kosova Sot Online)