Kurti u kërkon bashkëpunim për energjetikë, akademikët ia dorëzojnë një dokument me opsione

  • A.P /
  • 12 January 2022 - 20:25
Kurti u kërkon bashkëpunim për energjetikë, akademikët ia dorëzojnë një dokument me opsione

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot vizitoi akademikët e Kosovës në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve. Nga ta, kryeministri kërkoi bashkëpunim për energjetikë, ndërsa akademikët ia dorëzuan një dokument me opsione.

Kurti në këtë takim shkoi me Minsitrin e Financave, Hekuran Muratin dhe zv. minsitrin e Ekonomisë, Mentor Arifaj, të cilët u pritën nga kreu i Akademisë së Shkencave, Mehmet Kraja hde nënkryetarja, AJustina Pula.

Në mes tjerash, Kurti kërkoi bashkëpunim lidhur me krizën energjetike që e ka kapluar Kosovën.

Akademiku Fejzullah Krasniqi, prezantoi raportin e ASHAK-ut për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, ku ndër të tjera u prezantuan edhe të gjeturat e raportit për opsionet për furnizim me rrymë dhe çmim të arsyeshëm.

Gjatë takimit u potencua interesimi i Qeverisë dhe AShAK-ut, për bashkëpunim të ngushtë. Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit jo vetëm në sektorin e energjisë, por edhe në fusha të tjera.

Ai veçoi rëndësinë  e qëndrueshmërisë së furnizimit dhe konsideratën gjeopolitike, meqë energjia sot është bërë kryefjalë e politikës dhe gjeopolitikës, jo vetëm në vendin tonë.

Duhet të kemi parasysh konsideratat mjedisore, meqenëse siç thotë një fjalë e urtë, të tashmen e kemi jo vetëm trashëgimi nga paraardhësit tanë, por në një farë mënyre edhe hua nga brezat e ardhshëm, për shkak se çfarëdo që bëjmë ne, kemi kosto për brezat që do të vijnë pas nesh, tha kryeministri Kurti.

Në këtë takim, akademik z.Fejzullah Krasniqi, prezantoi raportin e AShAK-ut për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, një dokument për analizën dhe sugjerimet për zhvillimet e ardhshme në sektorin e energjisë. U theksuan të gjeturat e raportit për opsionet për furnizim të qëndrueshëm e me çmim të arsyeshëm për konsumatorët.​

(Kosova Sot Online)