S’ndalet Koreja Veriore, teston raketë që hidhet nga treni

  • S.A /
  • 15 January 2022 - 09:07
S’ndalet Koreja Veriore, teston raketë që hidhet nga treni

Koreja Veriore ka testuar një raketë që hidhet nga treni gjatë ushtrimeve të së premtes, raportuan të shtunën mëdiet shtetërore. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për sanksione të reja ndaj shtetit të izoluar pas vargut të fundit të testimit të armëve.

Shtabi i Përgjithshëm i Koresë Jugore tha se dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi fluturuan rreth 430 kilometra me lartësi maksimale prej 36 kilometrash, pasi u lëshuan në drejtim të lindjes nga bregdeti veriperëndimor i Koresë Veriore.Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë Veriore, KCNA, nuk i saktësoi rrezen e veprimit ose trajektoren e raketave, por tha se ushtrimi për hedhjen e tyre u mbajt në provincën Pyongan, shkruan Reuters.

Koreja Veriore e testoi sistemin raketor të bazuar në hekurudhë për herë të parë në shtator të vitit të kaluar, duke thënë se ky sistem është hartuar si kundërsulm i mundshëm ndaj ndonjë force kërcënuese.

Që nga fillimi i vitit, Koreja Veriore ka lëshuar tri raketa balistike në një varg jashtëzakonisht të shpeshtë të testimit të armëve. Në dy lëshimet e kaluara u përfshinë ato që mediet shtetërore i quajtën “raketa hipersonike”, që mund të arrijnë shpejtësi shumë të madhe dhe gjithashtu bëjnë më shumë manovra se raketat balistike.

Të mërkurën, administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i vendosi sanksionet e para të saj kundër Koresë Veriore dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të fusë në listën e zezë disa individë e entitete të këtij shteti.

(Kosova Sot Online )