I akuzuari për terrorizëm pranoi fajësinë që luftoi për ISIS-in, thotë se është penduar

  • E.K /
  • 18 January 2022 - 12:30
I akuzuari për terrorizëm pranoi fajësinë që luftoi për ISIS-in, thotë se është penduar

I akuzuari për terrorizëm, F. D., ka pranuar fajësinë dhe shprehet i penduar që luftoi për ISIS-in.

Ai këtë pranim të fajësisë e ka bërë të martën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi të njëjtit iu lexua aktakuza.

Ai ka thënë se deklarohet fajtor për kryerjen e veprës penale të terrorizmit, ashtu siç ishte deklaruar edhe në polici dhe prokurori.

Mbrojtësi i tij, avokati Jeton Partuzi ka thënë se i akuzuari ishte konsultuar mjaftueshëm me të për pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë, prandaj i njëjti ka kërkuar nga gjykata që të aprovojë këtë pranim të fajësisë.

Aprovimin e pranimit të fajësisë e ka pranuar edhe prokurori special, i cili ka deklaruar se ky pranim i fajësisë është i plotë dhe në pajtim me dispozitat ligjore.

Në këtë mënyrë, kryetarja trupit gjykues, e ka aprovuar këtë pranim të fajësisë.

Lidhur për rrethanat rënduese dhe ato lehtësuese të cilat do të merren parasysh gjatë matjes dhe shqiptimit të dënimit, prokurori si rrethanë lehtësuese ka përmendur pranimin e fajësisë së të akuzuarit, gjendjen familjare dhe pendimin për kryerjen e veprës penale.

Ndërsa si rrethana renduese prokurori ka përmendur peshën e veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit, mënyrën e kryerjes së veprës penale, si dhe kronologjinë e udhëtimit për të përfunduar si luftëtar i huaj terrorist.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Jeton Partuzi ka kërkuar nga gjykata që si rrethana lehtësuese të merr pranimin e fajësisë, bashkëpunimin e tij me organet e drejtësisë në të gjitha fazat e procedurës, gjendja e dobët ekonomike, e cila sipas avokatit, ka ndikuar që ai për një jetë më të mirë të shkojë në Siri, pasi i janë premtuar rroga të mira dhe shtesa për fëmijë.

Avokati Partuzi si rrethanë tjetër ka përmendur edhe pendesën e thellë të të akuzuarit, faktin që është baba i gjashtë fëmijëve, gjendjen jo të mirë shëndetësore, qëndrimin e tij në paraburgim në Siri i cili sipas avokatit është maltretuar.

Ai po ashtu ka kërkuar nga gjykata që në dënimin e tij të shqiptuar t’i llogaritet edhe koha e kaluar në burg në Siri dhe në Burgun e Sigurisë së Lartë në Kosovë.

“Jam penduar për veprimet e mija, nuk e kam gjendjen e mirë shëndetësore, premtoj që më asnjëherë nuk do të përsëris vepër penale”, ka thënë në fund i akuzuari.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 20 janar 2022, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas aktakuzës së ngritur me 15 dhjetor 2021, i akuzuari F.D., në gusht 2014, me qëllim që t’i bashkëngjitët organizatës terroriste ISIS në Siri, së bashku me personin A.H., nga Prishtina përmes vend kalimit kufitar “Hani i Elezit”, kishin depërtuar në Maqedoninë e Veriut.

Siç thuhet në aktakuzë, më pas përmes Bullgarisë kishin arritur në Turqi-Stamboll e pastaj në Gazientep dhe pas kontaktit me B.D., kishin depërtuar në brendi të Sirisë dhe ishin regjistruar në ISIS, ishte pajisur me pushkë automatike AK47, dhe pas ushtrimeve luftarake kishte marrë pjesë në luftërat në Siri.

Sipas PSRK-së, më pas i njëjti është dorëzuar te Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri më 17 korrik 2021, me ç’rast është riatdhesuar në Kosovë.

Për këto veprime, ai po ngarkohet me veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, nga nenin 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimi për Drejtësi

(Kosova Sot Online)