Lukashenko: Perëndimi ka grumbulluar gati 30.000 trupa afër kufijve të Bjellorusisë

  • G.G /
  • 18 January 2022 - 12:49
Lukashenko: Perëndimi ka grumbulluar gati 30.000 trupa afër kufijve të Bjellorusisë

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, tha të hënën se vendet perëndimore kanë vendosur gati 30.000 trupa, pajisje e armë afër kufirit perëndimor të vendit të tij.

Duke folur në një takim me zyrtarë ushtarakë në Pallatin e Pavarësisë në Minsk për planet rreth ushtrimeve të përbashkëta ushtarake mes Bjellorusisë e Rusisë, Lukashenko tha se Polonia ka aplikuar në NATO për të vendosur pajisje ushtarake në rajon.

“Pse po bëhet kjo? Mund të ketë një pasojë. Ata po bëhen gati për diçka serioze, të paktën diçka afatgjate”, tha ai. Lukashenko gjithashtu e theksoi praninë e trupave amerikane në vendet që shtrihen në perëndim të Bjellorusisë, shkruan Anadolu.

“Polonia dhe shtetet baltike së bashku mbajnë mes 8.000 deri 10.000 trupa amerikane. Çfarë do të bëjnë amerikanët atje? Pse ne dhe Rusia po qortohemi për mbajtjen e manovrave e ushtrimeve përderisa ata kanë ardhur këtu nga larg? Janë disa njerëz gjaknxehtë që po bëjnë thirrje për luftë. Ne i dëgjojmë këto deklarata”, tha presidenti bjellorus.

Duke theksuar se situata në kufirin jugor të Bjellorusisë është gjithashtu shqetësuese, Lukashenko tha se ka rritje të njësive ushtarake në anën ukrainase. “Ukraina vazhdon që t’i zgjerojë forcat e saj duke rekrutuar njësi të Gardës Kombëtare nga nacionalistët radikalë afër kufijve tanë”, tha ai.

Lukashenko gjithashtu tha se Ukraina ka kryer një operacion special afër kufirit me Bjellorusinë dhe se gati 10.000 ushtarë ukrainas janë dërguar në rajonin kufitar.

(Kosova Sot Online)