Gjendet e vdekur 9-vjeçarja, policia arreston një person

  • E.K /
  • 19 January 2022 - 11:33
Gjendet e vdekur 9-vjeçarja, policia arreston një person

Një burrë është akuzuar për vrasje pasi një fëmijë u gjet i pajetë në një fuçi të fshehur mes shkurreve në Australi.

Viktima besohet se është një vajzë 9-vjeçare e cila u zhduk javën e kaluar në një pronë në Malet Blu, afër Sidneit, tha policia.

Zhdukja e saj shkaktoi një kërkim masiv i cili përfundoi të martën, 18 janar kur oficerët zbuluan trupin e fëmijës pranë një lumi në një zonë fqinje.

Policia tha se një burrë 31-vjeçar ishte arrestuar në një apartament në brendësi të Sidneit.

Vajza – e cila nuk mund të identifikohet për arsye ligjore – ishte me pushime me nënën e saj kur u zhduk të enjten e kaluar. Ajo u raportua e humbur mëngjesin tjetër.

Gjatë pesë ditëve të ardhshme, oficerë policie, zjarrfikës dhe vullnetarë të Shërbimit Shtetëror të Emergjencave kërkuan terrene të dendura në zonë për të bërë të mundur gjetjen e saj.

Ndërkohë më shumë se 200 oficerë kryen një hetim që identifikoi të dyshuarin dhe “anomalitë” në lëvizjet e tij, sipas Policisë së Uellsit të Ri Jugor.

I dyshuari kishte blerë një “numër thasësh me rërë” nga një dyqan si dhe karburant për të notuar me një varkë në brendësi të Sideit.

“Kjo ishte e pasuksesshme sepse varka nuk ishte funksionale,” tha Zëvendës komisari Hudson.

31-vjeçari dyshohet se më vonë udhëtoi në zonën e lumit Colo – ku më vonë u gjet fuçia. Nuk është shumë larg vendit ku u zhduk fillimisht vajza.

“Deri në kryerjen e autopsisë nuk jemi ende të sigurt se çfarë ka ndodhur me të,” tha komisari Hudson.

Policia tha se hetimet do të vazhdojnë, shkruan BBC.

(Kosova Sot Online)