Kurti në AKP tregon sa asete do t’i merren këtij institucioni për t’i bartur në Fondin Sovran

  • G.G /
  • 19 January 2022 - 13:24
Kurti në AKP tregon sa asete do t’i merren këtij institucioni për t’i bartur në Fondin Sovran

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar sot Agjencinë Kosovare të Privatizimit, bashkë me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Sipas njoftimit të ZKM’së, në këtë takim është biseduar edhe për themelimin e Fondit Sovran.

“Gjatë takimit u bisedua për Strategjinë përmbyllëse të Agjencionit Kosovar të Privatizimit, e cila tashmë është hartuar, si dhe për rrugën përpara, drejt themelimit të Fondit Sovran. Tash së fundmi Qeveria e Republikës e ka pranuar nga grupi punues draftin përfundimtar të Koncept Dokumentit për Themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës. Ky dokument përbën bazën konceptuale dhe strategjike për themelimin e Fondit Sovran, përfshirë konceptin dhe hapat për vendosjen e bazës ligjore dhe institucionale të Fondit”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.

Bazuar në këtë njoftim, 1 mijë e 635 asete do t’i barten Fondit Sovran, derisa 771 do të vazhdojnë të ngelen nën portofolin e AKP-së.

“Paralelisht me punën e këtij grupi punues, Bordi i AKP-së ka arritur që t’i evidentojë në një regjistër të përbashkët gjithsejtë 2364 asete të AKP-së, nga të cilat pas një analize të hollësishme e konkrete është vlerësuar se 1653 prej tyre do t’i barten Fondit Sovran, ndërkaq 771 do të vazhdojnë të ngelen nën portofolin e AKP-së”, thuhet në njoftim.

Komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizituan Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në takimin me Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kryesuar nga z.Nazmi Mikollovci, u bisedua për punën e bërë nga muaji gusht i vitit të kaluar, pas votimit të Bordi të ri nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Kryeministri vlerësoi se bashkërisht janë arritur disa suksese shumë të vlefshme për interesin publik, shtetëror e ekonomik të Kosovës. Ai shprehu mbështetjen e plotë të Qeverisë për punën e AKP-së, si dhe përkushtimin për t’i përballuar sfidat, duke mos e kursyer vullnetin dhe duke shkëmbyer përvojat dhe dijet.

Gjatë takimit u bisedua për Strategjinë përmbyllëse të Agjencionit Kosovar të Privatizimit, e cila tashmë është hartuar, si dhe për rrugën përpara, drejt themelimit të Fondit Sovran.

Tash së fundmi Qeveria e Republikës e ka pranuar nga grupi punues draftin përfundimtar të Koncept Dokumentit për Themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës.

Ky dokument përbën bazën konceptuale dhe strategjike për themelimin e Fondit Sovran, përfshirë konceptin dhe hapat për vendosjen e bazës ligjore dhe institucionale të Fondit.

Paralelisht me punën e këtij grupi punues, Bordi i AKP-së ka arritur që t’i evidentojë në një regjistër të përbashkët gjithsejtë 2364 asete të AKP-së, nga të cilat pas një analize të hollësishme e konkrete është vlerësuar se 1653 prej tyre do t’i barten Fondit Sovran, ndërkaq 771 do të vazhdojnë të ngelen nën portofolin e AKP-së.

Kryesuesi i Bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci, bëri të ditur se tashmë janë bërë shkurtimet e shpenzimeve, në vlerë të gjithmbarshme prej mbi 2 milionë e 600 mijë euro. Kjo u vlerësua si e arritur shumë e vlefshme dhe e dobishme për agjencinë dhe Buxhetin e Republikës së Kosovës.

U vlerësua lartë aktivizimi i Ndërmarrjes Shoqërore “Brezovica”, e cila tashmë është vënë në funksion, në përputhje të plotë me sistemin juridik të Kosovës.

Fiskalizimi përbrenda ligjit dhe formalizimi i kësaj ndërmarrjeje u vlerësuan si parakushte për t’iu hapur rrugën investimeve për këtë qendër tejet të rëndësishme turistike për Kosovën me potencial të madh për vendin tonë.

Kryesuesi i Bordit të AKP-së, Nazmi Mikullovci iu falënderua kryeministrit dhe ministrave për vizitën dhe takimin, si dhe për përkrahjen e dhënë nga Qeveria për punën dhe veprimet e muajve të fundit.

Në përmbyllje të takimit u theksua se nëpërmjet bashkëpunimit e koordinimit institucional do të mundësohet tejkalimi i sfidave dhe krijimi i një baze zhvillimore për Republikën e Kosovë.​

(Kosova Sot Online)