Lajçak e Escobar vinë në Prishtinë në fillim të shkurtit?

  • A.P /
  • 19 January 2022 - 18:17
Lajçak e Escobar vinë në Prishtinë në fillim të shkurtit?

Dy emisarët e ShBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak pritet të vijnë në Prishtinë në fillim të muajit shkurt sipas burimeve diplomatike të REL. Por zëdhënësi i BE-së për Politikën e Jashtme, Peter Stano, s’është përgjigjur në pyetjen nëse Lajcak e Escobar do të udhëtojnë së bashku në Kosovë e Serbi në fillim të muajit të ardhshëm.

“Takimet dhe udhëtimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së janë pjesë përbërëse e punës së tij të përditshme, të cilat ne nuk i komentojmë e as paralajmërojmë nga selia në Bruksel. Nëse i dërguari i posaçëm shkon për të takuar partnerët në rajon, njoftimet për media bëhen nga delegacionet përkatëse në terren, nëse një gjë e tillë është e përshtatshme”, ka thënë Stano në një përgjigje.

Sipas burimeve  diplomatike të REL në Bruksel, “akoma janë duke u përgatitur detajet e takimeve”.

Të njëjtat nuk e kanë mohuar se në disa prej takimeve që Lajçak do të ketë në Prishtinë dhe Beograd, mund të jetë i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas këtyre burimeve diplomatike, vizita e Escobar dhe Lajçak do të jetë në kuadër të përpjekjeve për të organizuar takime të reja të dialogut Kosovë-Serbi.

(Kosova Sot Online)