Kosovarët të shqetësuar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike

  • A.P /
  • 19 January 2022 - 21:51
Kosovarët të shqetësuar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Aziz Bugaçku, pensionist, jeton bashkë me gruan e tij në Prishtinë në një banesë më dy dhoma, që ngrohen me energji elektrike.

Rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike thotë ai, do të ishte e papërballueshme.

“Me rrymë nxehemi, rryma neve po na vjen 80 deri 90 euro është shtrenjtë, nëse shtrenjtohet është problem”, thotë ai.

Bugaçku thotë se së bashku me gruan marrin 180 euro pension dhe se për jetesë mbështetën nga fëmijët.

“Unë për veti barna nuk përdori ndërsa shoqja përdorë barna edhe është shumë vështirë. Qeveria duhet me shiku këtë problem të rrymës sepse është e papërballueshme”, tha ai.

Shqetësimet e Bugaçku janë të njëjta për shumë qytetarë të Kosovës, pas propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike.

Kjo zyrë tha se rritja e çmimit është e pashmangshme për shkak të rritjes së çmimit të energjisë që Kosova po importon për të mbuluar mungesat. Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar rivendosjen e blloqeve të tarifave për konsumatorët shtëpiak. Shtëpitë që nuk e tejkalojnë konsumin e 600 kilovatëve do të paguajnë çmimin e njëjtë sikurse tani, ndërsa ata që shpenzojnë më shumë se 600 kilovatë do të përballen me tarifa shtesë sipas çmimeve të importit.

Qeveria e Kosovës është zotuar të ndajë 75 milionë euro si mbështetje për të zbutur rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Kryeministri Albin Kurti, tha sot se Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vënë para qeverisë zgjidhjen financiare të krizës dhe kjo sipas tij vjen me një çmim shumë të lartë.

“Çmimi i propozuar nga ZRRE është barrë shumë e rëndë për t’u përballur nga qytetari në Kosovë, rrjedhimisht ne do të vëmë në dispozicion 75 milionë euro subvencion për të mos i prekur fare rritja e çmimit të energjisë konsumatorët e amvisërisë që konsumojnë deri në 600 kilovat në muaj si dhe bizneset e Kosovës. Po ashtu, kemi zvogëluar ndikimin nga rritja e çmimit të konsumatorëve shtëpiak të cilët konsumojnë mbi 600 kilovat, e subvencioni i qeverisë në dispozicion, që nuk është e thënë që do të shpenzohet dhe që varet edhe nga çmimi në të ardhmen të energjisë në bursën ndërkombëtare, do të zbusë dukshëm rritjen tarifore”, tha ai.

Ai tha se rritja e çmimit të energjisë nuk ka ndodhur te pjesa e energjisë të prodhuar në Kosovë por ngritja ka ndodhur në pjesën e energjisë që importohet.

Partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë për siç thonë për paaftësi në menaxhimin e krizës energjetike.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thirrur për të enjten një debat në parlament ndërsa synon të çojë përpara një rezolutë për të parandaluar shtrenjtimin e energjisë. Besnik Tahiri nga ky subjekt thotë se me vendimin e paralajmëruar do të preken rreth 200 mijë familje në Kosovë.

“Për ne dhe gjithë qytetarët e Kosovës është krejtësisht e papranueshme që dikush që ka pagu 58 euro të paguaj me tarifën e re 109 euro, 100 për qind më shumë. Dikush që shpenzon deri në 800 kilovatë që ka pagu 47 euro të paguaj 74 euro”, tha ai.

Kosova po përballet javëve të fundit me përkeqësim të situatës me energji elektrike ndërsa është detyruar të importojë rreth 40 për qind të saj. Qeveria e ka shpallur gjendjen emergjente për të tejkaluar krizën energjetike.

Kosova përmbush shumicën e nevojave të saja me energji elektrike nga dy termocentrale të cilat shpesh edhe dalin jashtë punës për shkak të vjetërsisë së tyre.

(Kosova Sot Online)