Kastrati e konfirmon shkarkimin: Jam ballafaquar me shantazhe e presion

  • A.P /
  • 19 janar 2022 - 22:01
Kastrati e konfirmon shkarkimin: Jam ballafaquar me shantazhe e presion

Ngadhnjim Kastrati ka konfirmuar se është shkarkuar nga pozita e drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së. Ai tha se njoftimin për shkarkimin e tij e mori në shtëpi, pasi që disa ditë është në izolim për shkak të infektimi me COVID.

Kastrati përmes një postimi në Facebook tha se që nga emërimi i Bordit të ri të RTK-së është ballafaquar me shantazhe e presion të tyre për t’i larguar qindra punëtorë nga puna, në këmbim të vazhdimit të punës së tij në këtë pozitë deri në fund të mandatit në prill 2022.

Postimi i plotë i Ngadhnjim Kastratit:

Të dashur kolegë të RTK-së, miq e bashkëpunëtorë, sapo u njoftova se anëtarët e Bordit të RTK-së të emëruar javë më parë nga politika, kanë marrë vendim për shkarkimin tim nga pozita e drejtorit të Përgjithshëm në Radio Televizionin e Kosovës.

Njoftimin për shkarkim e morra në shtëpi, ku jam prej disa ditësh në izolim si rezultat i infektimit me Covid. Perveq tjerash une as nuk jam njoftuar per ndonje procedure te shkarkimit dhe as nuk ka pasur ne rend te dites pike per shkarkimin tim.

Që nga muaji prill i vitit 2019 kur jam zgjedhur në këtë pozitë, me krenari mburrem që e kam udhëhequr Mediumin Publik, duke ruajtur profesionalizmin dhe besueshmërinë publike. Për këtë periudhë kam arritur që të paguaj mbi 4 milionë euro borxhe. Që nga ardhja e anëtarëve të Bordit të ri të qeverisë Kurti, jam ballafaquar me shantazhe e presion të tyre për t’i larguar qindra punëtorë nga puna, në këmbim të vazhdimit të punës sime në këtë pozitë deri në fund të mandatit në prill 2022.

Por unë ju kam thënë qartë anëtarëve politik të këtij Bordi se unë nuk e largoj asnjë person nga puna.

Arsyeja është e thjeshtë: Ata punojnë prej shumë vitesh dhe janë të nevojshëm, ndërsa me ato paga mbajnë familjet e tyre, e që është mjaft e vështirë ne këtë situatë të rëndë ekonomike. Para disa ditësh, ky Bord, pavarësisht se kam qenë i sëmurë dhe në izolim, më ka kërkuar që t’ua dërgoj projeksionin buxhetor ku përfshihen edhe vendet e punës dhe ua kam dërguar të detajuara të gjitha dhe nuk kanë pasur asnjë vërejtje. Gjitha projeksionet buxhetore e programore ua kam dërguar pa e larguar asnjë punëtorë nga puna, edhe pse qeveria aktuale për këtë vit e ka zvogëluar buxhetin e RTK-së për më shumë se 2 milionë euro.Mbetëshi mirë me shëndet!

(Kosova Sot Online)