Në dy gjimnaze në Prishtinë fillojnë testimet antigjene për COVID-19

  • E.K /
  • 20 January 2022 - 12:24
Në dy gjimnaze në Prishtinë fillojnë testimet antigjene për COVID-19

Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të pandemisë, Komuna e Prishtinës për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë nëpër shkolla është duke bërë furnizimin me teste të shpejta antigjen përmes pështymës për COVID-19.

E nga shkollat e furnizuara me këto teste janë “Ahmet Gashi” dhe “Sami Frashëri”, në Prishtinë.

Ilmi Reçica, profesor në këtë shkollën “Sami Frashëri”, ka thënë se dy nxënës nga kjo shkollë janë konfirmuar me COVID-19, ndërsa ka thënë se të dyshuar janë katër profesorë.

“Kanë ardhur një numër i caktuar i testeve të shpejta, janë në dhomën e doktoreshës së shkollës. Janë diku 100 nxënës që kanë bërë teste dhe kanë dalë negativë. Brenda shkollës 2 nxënës janë krejt pozitivë, mirëpo sot kemi pasur mungesë të 4 profesorëve, familjaret e të cilëve janë të infektuar me COVID-19. Ka pas çrregullime të procesit mësimor. Nëse duhet dhe është e nevojshme, duhet edhe të mbyllen shkollat. Meqenëse mësimi online nuk ka qenë efektiv dhe mirëpo nëse duhet për çështjen e fëmijëve dhe mësimdhënësve duhet të vazhdohet me mësim online”, tha ai.

Ndërsa drejtori i shkollës “Ahmet Gashi”, Haxhi Metaj, në një intervistë tha se në këtë shkollë kanë pranuar 3000 teste, ku 1400 nxënës janë testuar dhe asnjë nga këta nxënës nuk ka rezultuar pozitiv.

Ai tha se nuk ka rezultuar asnjë mësimdhënës pozitiv, teka tha se të gjithë janë të vaksinuar.

“Neve na kanë ardhur diku 3000 teste, sepse ne jemi gjimnazi më i madh në komunën e Prishtinës, kemi rreth diku 1400 nxënës dhe testet kanë ardhur dhe natyrisht se jemi duke bërë vlerësimin te nxënësit, atyre që kanë probleme dhe mendojnë se kanë COVID-19. Deri sot janë lajmëruar diku 170 nxënës, ku kemi bërë testet dhe nuk kemi pasur raste pozitive me testet që janë bërë”, tha ai.

Tutje, Metaj ka kërkuar që t’i sjellin më shumë teste. Ai ka thënë se në këtë shkollë janë shtatë profesorë të dyshuar për COVID, teksa ka thënë se janë në pritje të rezultateve nga IKSHPK-ja.

“Ne po bëjmë përpjekje për respektim të masave deri diku respektohen, por për shkak se edhe mosha e adoleshencës dhe gjitha këto janë që nuk është bash e thjeshtë. Momentalisht janë shtatë raste aktive që na ka lajmëruar IKSHPK-ja, sepse pa e konfirmuar nga Instituti nuk japim përgjigje të sakta. Deri më sot nuk kemi raste te mësimdhënësit, sepse të gjithë janë të vaksinuar e po ashtu edhe punëtorët teknikë dhe klasat e 12-ta mbi 70 për qind janë të vaksinuar, por edhe të 11-tat dhe të 10-tat. Është një gjë shumë e mirë që janë të vaksinuar”, u shpreh ai.

(Kosova Sot Online)