Me çmimet e reja të rrymës për tarifën e ulët do të paguajmë aq sa paguajmë tash për tarifën e shtrenjtë

  • E.K /
  • 20 January 2022 - 15:25
Me çmimet e reja të rrymës për tarifën e ulët do të paguajmë aq sa paguajmë tash për tarifën e shtrenjtë

Me propozimin e ZRrE-së për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiakë, kosovarët do ta paguajnë 14 cent kilovatin për tarifën e lartë dhe 6 cent kilovatin për tarifën e ulët. Këto çmime të rrymës do të aplikohen për ata që e tejkalojnë konsumin mbi 600 kWh.

Çmimet aktuale janë 6.75 cent kilovati në tarifën e shtrenjtë dhe 2.89 cent kilovatin për tarifën e lirë.

Por tash me çmimet e reja nëse një konsumator shtëpiak shpenzon më shumë se 600 kWh rrymë, kilovatët e shpenzuar pas shifrës 600 do t’i paguajnë 14 cent në tarifë të lartë dhe 6 cent në tarifë të ulët.

Sipas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, tarifat e reja të energjisë elektrike, nëse miratohen, do të fillojnë të aplikohen nga 1 shkurti.

Këto tarifa do të jenë të aplikueshme deri më 31 mars të vitit 2023.

Bllok-tarifat që ishin hequr në vitin 2017 tani ZRRE ka propozuar të aplikohen sërish. Konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh në muaj fatura e tyre do të rritet për 12.31 euro ndërkaq ata që shpenzojnë deri 1000 kWh në muaj, fatura e tyre do të rritet për 24.62 euro.

Sot në Kuvendin e Kosovës, opozita ka kritikuar qeverinë lidhur me shtrenjtimin e rrymës për konsumatorët shtëpiakë, teksa nga qeveria kanë deklaruar se është e pashmangshme shtrenjëtimi i rrymës marrë parasysh çmimin e lartë të energjisë elektrike që importohet e të cilën Kosova e ka të pamundur ta prodhojë dhe të njëjtën duhet ta blejë.

(Kosova Sot Online)