Zbulohet strategjia e Berishës për zgjedhjet lokale

  • A.P /
  • 20 January 2022 - 22:53
Zbulohet strategjia e Berishës për zgjedhjet lokale

Të dy grupimet në PD kanë shpallur se do të paraqiten me kandidatët e tyre në zgjedhjet e pjesshme lokale, që do të mbahn të dielën e 6 marsit, në gjashtë bashkitë e mbetura pa kryetar. Por duke qenë se institucionet e kontrolluara nga pushteti, sipas të gjitha gjasave do të mbështesin fraksionin e Lulzim Bashës, vështirësia do të jetë për kandidatët e paraqitur nga Berisha.

Pra pikpyetja që ngrihet është: Si do të gjejë mundësinë për të garuar grupimi i Foltores?

Mundësia e parë teorike , duke qenë se me siglën e PD do të konkurojnë të përzgjedhurit e Bashës, është që berishistët të dalin si të pavarur. Ndonëse kjo mund tu japë atyre një avantazh propaganisistik, për ti paraqitur rivalët e tyre si të përzgjedhurit e kundërshtarit socialist, një zgjedhje e tillë ka edhe risqe. Pikë së pari, ajo do të krijonte perceptimin se grupimi i foltores po krijon një lëvizje të re, pra se e ka njohur që PD-ja është Basha.

Për të shmangur këtë po mendohet edhe një rrugë e dytë. Pra krijimi i një koalicioni opozitar me LSI-në dhe aleatët e tjerë të djathtë, për tu regjistruasr në zgjedhjet e pjesshme si një front anti Rama, me emërtim dhe sigël të veçantë. Këtë version e mbështeti gjatë një debati në A2 CNN edhe ish deputeti Genc Pollo. “Çështja e kandidatit tonë do të zgjidhet me shpalljen e marrëveshjes pas 2-3 ditësh me një front më të gjerë opozitar. Kjo marrëveshje do të përcaktojë edhe siglën edhe emrin e koalicionit dhe detaje të tjera që janë teknike” tha ai.

Por, përpos mënyrës se si do të zgjidhin çështjen e regjistrimit, grupimi i Berishës ka edhe një telash tjetër. Berisha ka premtuar në të gjitha takimet atë që u sanksionua me ndryshimet në statut të kuvendit të 11 dhjetorit, pra që kryebashkiakët e rinj do të zgjidhen direkt nga anëtarësia, e cila do të vendosë me votë se kush do të jetë i pereferuari i saj për të drejtuar bashkinë. Pra, megjithëse koha është tejet e ngushtë, grupimi i foltores ka njoftuar se fillimisht do të hapë garën për primaret brenda PD-së. Ata që do të propozohen duhet të dorëzojnë pranë komisionit të rithemelimit kandidaturat e tyre deri në 24 janar. Pastaj duhen organizuar zgjedhjet me një antar një votë për të gjashta bashkitë. Dhe vetëm pas këtij procesi të komplikuar dhe organizativisht të vështirë, berishistët do ti drejtohen KQZ për regjistrimin e kandidatit të tyre.

Por edhe këtu andrallat nuk janë të pakta. 

Sipas ligjit aktual procedura e regjistrimit në zgjedhje është kjo: 1-fillimisht regjistrohen partitë. 2-Regjistrohen koalicionet mes partive tashmë të regjistruara. 3-Çohen emrat e kandidatëve.

Pra, sipas ligjit aktual grupimi i “Foltores” ngel që në etapën e parë nëse, ashtu sikurse prezumohet, pushteti do njohë fraksionin e Bashës.

Atëherë si do të zgjidhet ky ngërç?

Plani është që partitë që do të bëjnë koalicion me grupimin e Berishës të konsumojnë fazën e parë të regjistrimit. Dhe vetëm në fazën e dytë ata të regjistrojnë koalicionin me emër dhe sigël e më pas edhe kandidatin që do ketë dalë nga primaret e zhvilluara me votën e atarësisë së PD.

Por së pari kjo metodë ka një problem në perceptim. Sepse në periudhën e regjistrimit, ta zëmë të LSI-së dhe PR-së, kundërshtarët do ta shfrytëzojnë për propagandë duke thënë se Berisha nuk u regjistrua në zgjedhje.

Ama, nga ana tjetër, kjo skemë e ka edhe një avantazh. Duke organizuar një front opozitar, “Foltorja” ka mundësinë që të ruajë fabulën se është ajo PD-ja e vërtetë, që po tubon rreth vetes gjithë opozitën. Ajo shmang kështu hendikapin e mospërdorimit të emrit dhe siglës që KQZ me shumë mundësi do ja njohë Bashës. Berishistët do të pretendojnë se janë PD-ja e reale, por duke përdorur  simbolet e koalicionit opozitar në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Pastaj se cila është opozita që duan votuesit, kjo do të shihet kur të dalin rezultatet.

(Kosova Sot Online)