Avdullah Hoti: Të merret kredi për të paguar skemat sociale kjo s’ka ndodhur që nga 2008

  • E.K /
  • 21 January 2022 - 11:37
Avdullah Hoti: Të merret kredi për të paguar skemat sociale kjo s’ka ndodhur që nga 2008

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka pyetur ministrin e Financave, Hekuran Murati se çfarë shteti është Kosova nëse merr kredi për të paguar skemat sociale. Kjo pasi Ministri Murati prezantoi në kuvend një marrëveshje ndërkombëtare për kredi nga Banka Botërore në vlerë 47 milionë euro për skemat sociale.

“Që të rishikohen skemat pajtohemi sepse ka qytetarë që plotësojnë kushtet dhe s’marrin dhe anasjelltas. Të merret kredi për pagesë të skemave sociale kjo nuk ka ndodhur asnjëherë ndoshta prej vitit 2008 e këndej që shteti i Kosovës të marrë kredi për të paguar skemat sociale ose paga. Në fund të fundit çfarë shtetit jemi nëse nuk arrijmë që me të hyrat që kemi të paguajmë skemat sociale e pensionale. Vetëm Palestina ose Sahara Perëndimore që kanë vështirësi për konsolidimin e institucioneve marrin kredi të tilla”, tha Hoti, teksa shtoi se LDK nuk e përkrah këtë marrëveshje.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se janë siguruar që gjatë marrëveshjes me Bankën Botërore pjesa më e madhe e mjeteve të shkojnë në xhepat e qytetarëve.

“Ne si ministri e Financave kemi nënshkruar marrëveshjen e financimit për projektin e reformimit të sistemit të ndihmës sociale me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim që është në kuadër të Bankës Botërore. Vlera totale kap shifrën e 47 milionë eurove dhe do t’i mundësojë qeverisë së Kosovës që të përmirëosjë efikasitetit e sistemit të asistencës sociale ku përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e qeverisë të cilat shkojnë drejt familjeve në nevojë si dhe avansimin e sistemeve të integruara sociale në mënyrë që të krijohet mundësia që në të ardhmen të zgjerohet baza e asistencës sociale në raport me nevojat e qytetarëve. Sa i përket kushteve të financimit, maturiteti është 30 vite, ku 5 vite janë grej periudhë kurse interesi sillet në mes 1.25% dhe 2% varësisht nga tarifa dhe rregullimi i bazës për tarifën e interesit. Jemi siguruar që gjatë negocimit të sigurojmë kushte sa më të mira që sa më shumë mjete të shkojnë në xhepat e qytetarëve, asistenca teknike është e kufizuar”, tha Murati.

(Kosova Sot Online)