Haradinaj për Rugovën: Kemi bashkëpunuar ngushtë në fazën e shtetndërtimit

  • E.K /
  • 21 janar 2022 - 11:54
Haradinaj për Rugovën: Kemi bashkëpunuar ngushtë në fazën e shtetndërtimit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova në 16-vjetorin e vdekjes.

Ai tha se nga Rugova ka përfituar shumë dhe se kanë pasur bashkëpunim të ngushtë.

” Urtësia dhe filozofia politike e Presidentit Ibrahim Rugova, mbeten ndër modelet më të avancuara të të bërit politikë. Unë kam përfituar shumë, sepse në një fazë të shtetndërtimit të Kosovës kemi bashkëpunuar ngushtë. I përjetshëm kujtimi për Presidentin historik Rugova. RH”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Presidenti Rugova ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, pas një beteje me kancerin në mushkëri. Ai u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, shumë qytetarë patën pritur me orë të tëra për të bërë homazhe pranë trupit të pajetë të Ibrahim Rugovës, edhe përkundër temperaturave tejet të ulëta që kishin shkuar deri në -15 gradë Celsius.

Në varrimin e Ibrahim Rugovës kishin marrë pjesë me dhjetëra burrështetas, nga shtetet më të fuqishme në botë, duke e konsideruar këtë, si lamtumirën më të madhe në rajon.

(Kosova Sot Online)