Markimi i naftës do t’a parandalonte kontrabandën e naftës nga veriu i Kosovës

  • A.P /
  • 21 January 2022 - 16:46
Markimi i naftës do t’a parandalonte kontrabandën e naftës nga veriu i Kosovës

Të gjitha përgatitjet janë bërë nga një kompani zvicerane e quajtur SICPA, për të filluar zbatimin e një projekti të kontraktuar më 14 janar 2021, ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe SICPA-së, për shënjimin molekular të naftës në Kosovë. Kjo do të krijonte mundësinë që qeveria të monitorojë cilësinë e naftës në tregun e brendshëm si dhe të parandalojë kontrabandën dhe keqpërdorimet.

Megjithatë, SICPA nuk ka mundur të fillojë punën në terren, si rezultat i rezistencës së qeverisë aktuale për zbatimin e projektit, duke krijuar kështu një mjedis të favorshëm për vazhdimin e kontrabandës së naftës nga veriu i Kosovës.

Mungesa e një sistemi efektiv të kontrollit të cilësisë së naftës në Kosovë, është keqpërdorur sidomos nga rrjetet kriminale në veri të vendit. Hulumtimet e publikuara në mediat kosovare kanë treguar se kriminelët e njohur serbë nga veriu, si Zvonko Veselinović, kanë punuar me rrjetet e krimit në Kosovë për kontrabandimin e naftës në tregun e brendshëm, duke shfrytëzuar mungesën e një sistemi efektiv të kontrollit të cilësisë së naftës nga ana e Qeverisë.

Përmes shënjimit molekular, e gjitha nafta që do të futej në territorin e Kosovës do të shënjohej me një përbërës të veçantë kimik që do t’i mundësonte pastaj institucioneve të verifikojnë në mënyrë të saktë nëse nafta është kontrabanduar.  Po ashtu kjo qasje lejon qeverinë të gjurmojë dhe monitorojë në mënyrë aktive cilësinë e naftës në tregun e brendshëm.

Sipas ekspertëve, markimi i naftës me shënjues molekular të SICPA garanton monitorim efektiv të cilësisë së naftës në tregun e brendshëm të Kosovës, sepse kjo kompani prodhon shënjues të cilësisë së lartë që nuk mund të largohen dhe siguron një mbrojtje të qëndrueshme me kalimin e kohës.

Përmes shënjimit molekular të naftës Qeveria e Kosovës ka mundësi të gjurmojë dhe monitorojë në mënyrë aktive naftën në tregun e Kosovës dhe të frenoj kontrabandën si dhe të rris të hyrat buxhetor për vendin. Kjo ka ndodhur në Shqipëri, ku  janë rritur të ardhurat publike nga taksat me 28 përqind si rezultat i zbatimit të shënjimit molekular të naftës.

Mungesa e cilësisë së naftës në tregun e brendshëm në Kosovë është konstatuar edhe nga një hulumtim i Zyrës Kombëtare të Auditimit, që kishte publikuar një raport gjithëpërfshirës dhe të detajuar për këtë çështje në vitin 2019.


(Kosova Sot Online)