Kurti e pret në zyrë shefin e OSBE’së , flasin edhe për referendumin e Serbisë që s’e lejoi Qeveria

  • A.P /
  • 21 January 2022 - 17:25
Kurti e pret në zyrë shefin e OSBE’së , flasin edhe për referendumin e Serbisë që s’e lejoi Qeveria

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim shefin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport me të cilin kanë diskutuar edhe për referendumin e Serbisë të cilin qeveria e Kosovës s’e lejoi të zhvillohet në Kosovë.

Kurti ka falenderuar ambasadorin Davenport për situatën me rastin e referendumit kushtetues të Serbisë.

“Temë diskutimi e takimit ishin të drejtat e pakicave, sundimi i ligjit, e çështjet e sigurisë dhe qeverisja e mirë. Në takim u adresuan edhe zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare dhe mbështetja për Zyrën e Komisionerit për Gjuhët si dhe gatishmëria e OSBE-së për të ndihmuar Zyrën e Kryeministrit dhe qeverinë në fushat me interes të përbashkët. Kryeministri Kurti falënderoi z. Davenport për komunikimin e vazhdueshëm, përfshirë këtu edhe situatën me rastin e referendumit kushtetues të Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, diplomati amerikan, Michael Carpenter, i cili shërben si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në një deklaratë për referendumin e Serbisë që s’u lejua të mbahet në Kosovë, ka paralajmëruar bisedime mes Kosovës dhe Serbisë për ta gjetur një model se si do të mund të votohej në të ardhmen në zgjedhje.

Në deklaratën e Carpenter të dorëzuar në Këshillin e Përhershëm në Vjenë, thuhet se presin të diskutojnë me Qeverinë e Kosovës dhe me atë të Serbisë për ta gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

(Kosova Sot Online)