Rivarroset 17-vjeçari i zhdukur me forcë më 1999, familjarët rrëfejnë tmerrin e para dy dekadave

  • A.P /
  • 21 January 2022 - 22:00
Rivarroset 17-vjeçari i zhdukur me forcë më 1999, familjarët rrëfejnë tmerrin e para dy dekadave

Pas njëzet e tre vjetësh nga rrëmbimi dhe zhdukja e dhunshme nga forcat serbe, të premten është rivarrosur Nuredin Dvorani, eshtrat e të cilit janë gjetur dhe zhvarrosur nga lokacioni i varrezës masive në Qirez.

Vëllai i të ndjerit, Hisni Dvorani, tha se Nuredini ka qenë në moshën 17-vjeçare kur është zhdukur. Gjetjen e trupit të tij e konsideron ditë të madhe dhe lehtësim për familjen.

“Dhimbje e madhe është boll, por edhe ditë e madhe dhe lajm i mirë. Në aspektin se pas 22 viteve me ditë unë ku e ka varrin dhe prej sot e di. 22 vite kemi qenë në ankth, e kemi ditë që është vrarë, mirëpo ku është nuk e kemi ditë. Është një lehtësim për familjen, pasi tash e dimë ku të drejtohemi edhe të vijmë”, tha ai.

Kushëriri i Nuredinit, Iliri rrëfen për KosovaPress në detaje ditën tragjike të vrasjes dhe rrëmbimit të të ndjerit.

“Ngjarja ka ndodhur më 30 prill 1999, ka qenë një rrethim i hekurt. Në pamundësi të depërtojmë rrethimin kemi lëvizë prej një pjese në pjesën tjetër, maleve kuptohet. Ashtu na ka kaluar dita, rreth orës 18:00 në mbrëmje nuk kemi mundur të depërtojmë dhe është ngushtuar rrethi dhe erdhën na nxunë dhe gjuajtën me breshëri plumbash. Aty ka pasur shumë të vrarë dhe të plagosur edhe Nuredini i ndjeri. Ashtu të plagosur na kanë torturuar në mënyra të ndryshme deri tek xhamia në Qirez. Të nesërmen kanë filluar me krime të llojeve të tyre, duke djegur njerëz dhe therë me thika. Kanë mbajtur me kamionë persona, unë kam qenë në turrën e dytë, Nuredinin e kam lënë aty dhe unë e kam pas fatin të shkoj në Drenas, kam qenë i plagosur dhe rrahur. Pastaj Nuredini me pjesën tjetër të kushërinjve tanë kanë ardhur deri tek shavarinat dhe shumica prej tyre janë gjetur të vrarë, përveç Nuredinit i cili ka qenë i zhdukur deri më sot”, shton ai.

Ndërsa, kryesuesi i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti, tha se Serbia duhet të kushtëzohet për dhënien e informacioneve për personat e zhdukur.

“Kur forcat serbe e kanë vrarë e kanë bërë krimin e parë ndaj tij. Ndërsa kur e kanë zhdukur e kanë bërë krimin e dytë ndaj tij. Kur e kanë fshehur informacionin për të e kanë bërë krimin e tretë ndaj tij, e kanë bërë krimin e shumëfishtë që 23 vite. Prandaj ne kemi kërkuar vazhdimësi që kjo çështje të trajtohet si çështje njerëzore, humane. Serbia vazhdon ta trajtojë si çështje politike dhe të luajë me fatin e personave të zhdukur. Edhe përmes BE-së dhe ShBA-së kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë dhe të themi që presioni nuk është i mjaftueshëm, por duhet të kushtëzohet Serbia për të dhënë informacionet për personat e zhdukur”, deklaroi ai.

Nuredin Dvorani ishte vetëm 17 vjeç kur ishte zhdukur dhunshëm nga forcat serbe më 30 prill 1999. Eshtrat e Nuredin Dvoranit ishin identifikuar përmes analizës së ADN-së.

(Kosova Sot Online)