Kurti bën homazhe në Prekaz: Kulla e Jasharëve duhet të mirëmbahet, është margaritar i historisë sonë të lavdishme

  • 22 January 2022 - 09:36
Kurti bën homazhe në Prekaz: Kulla e Jasharëve duhet të mirëmbahet, është margaritar i historisë sonë të lavdishme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe disa deputetë ka bërë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kurti ka deklaruar se sot janë bërë 24 vjet që kur serbët ishin nisur drejt Kullës së Jasharëve.

“Sot më rastin e 24 vjetorit të sulmit mbi Jasharajt në erdhëm të bëjmë homazhe te varret e tyre, dhe njëkohësisht më pas të shohim si po bëhen ndërhyrjet emergjente në kullën e Jasharëve, Sot janë bërë 24 vjet, prej kur forcat e Serbisë ia mësynë Kullës së Jasharëve. E kemi obligim që këtë objekt ta mirëmbajmë sepse është një margaritar i historisë sonë të lavdishme dhe njëkohësisht të dhimbshme”, u shpreh Kurti para mediave, transmeton Telegrafi.

Pas homazheve Kurti dhe kabineti do të vizitojnë kullat ku do të takohet edhe me anëtarë të familja Jashari, do të vizitohet shtëpia e Hamit e Sala Jasharit dhe të shihen ndërhyrjet emergjente në këtë shtëpi.

Më 22 janar të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa.

Ndërkaq, sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998. Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK, Adem Jasharin. 

(Kosova Sot Online )